Profesionalet, vitin tjetër 4-vjeçare
Shkurtohet me një vit kohëzgjatja e arsimin të mesëm në shkollat profesionale. Miratimi i ligjit të ri për arsimin dhe formimin profesional i ka hapur rrugën një sërë risive në shkollat profesionale, që nisin nga struktura e tyre e deri te kurrikula mësimore. Kështu, vitin e ri shkollor 2011-2012, për shkollat e mesme profesionale do të ketë një risi në strukturë, pasi nxënësit do të kenë mundësi ta mbarojnë më shpejt shkollën, e cila nga 5-vjeçare do të bëhet katër. Përpos këtyre ndryshimeve, ndryshimet e bëra në ligjin e ri kanë shtuar edhe shanset e të rinjve për të gjetur një punë jo më pas mbarimit të shkollës, por edhe gjatë saj. Të rinjtë që mbarojnë dy vjet në një shkollë ekonomike profesionale cilësohen të aftë për të punuar në sipërmarrjet private, me profil ekonomi-biznes. Po ashtu, ndryshimet e fundit që i janë bërë ligjit për arsimin profesional, u lejojnë të rinjve që të marrin eksperiencë në këto shkolla që në dy vitet e para, por për të punuar për shembull në banka, thonë arsimtarët, atyre do t’u duhet të mbarojnë 4 vitet e shkollës. Për rrjedhojë, një i ri në moshën 16-17 vjeç, që ka mbaruar dy vite të shkollës së mesme profesionale, do të jetë gati për në tregun e punës. “Një i ri në moshën 17-vjeçare, pasi ka mbaruar arsimin e detyruar dhe plus dy vjet të nivelit të parë të arsimit profesional, pra, me një certifikatë të nivelit të parë, ai është i aftë për në tregun e punës”, - shpjegon Dorina Rapti, përgjegjëse e zhvillimit profesional në MASH. Ndërsa drejtoresha e Shkollës së Mesme Ekonomike në kryeqytet shpjegon se cilat janë mundësitë reale të punësimit për nxënësit e shkollave profesionale, jo vetëm gjatë viteve të para të shkollimit por edhe pas përfundimit të shkollës. “Jepet një rëndësi shumë e veçantë gjatë këtyre dy viteve, aftësive sipërmarrëse të nxënësve, që do të thotë se ai fare mirë mund të ndihmojë familjen në hapjen e një biznesi familjar. Në një bankë jam mëse e bindur që mund të punojë një nxënës që mbaron sistemin 4-vjeçar në shkollën e mesme ekonomike”, - pohon, drejtoresha e Shkollës së Mesme Ekonomike në Tiranë, Merita Zylaj. Risi tjetër për vitin e ri shkollor, për shkollat e mesme ekonomike, do të jenë dhe praktikat profesionale, të cilat do të fillojnë që në vitin e parë. “Dallimi me sistemin e vjetër është që nxënësi që në vitin e parë punon jo vetëm në pjesën teorike të lëndëve profesionale. Por në sistemin e ri i kushtohet një rëndësi shumë e madhe praktikës profesionale. Risia e shkollave ekonomike në këtë vit është se përveç zhvillimit të praktikës në zyrën mësimore që ndodhet në shkollë, i jepet mundësi që nxënësi të bëjë praktikën edhe në një ndërmarrje”, - shprehet më tej Zylaj. Risi të tjera të këtij draftit të ri për arsimin profesional, që pritet të kalojë shumë shpejt në Parlament për diskutim dhe miratim, janë dhe kurset pas mbarimit të katër viteve të shkollës së mesme profesionale. Prioritet do t’u jepet degëve sipas kërkesave të tregut të punës. “Për arsimin pas i mesëm, rekomandohet të jetë një vit, ose dy vjet, në varësi gjithmonë të profilit përkatës dhe nëse është dy vjet, pra ai merr 120 kredite, atëherë këtu mund të vazhdohet me tutje dhe në arsimin e lartë. Aktualisht janë shumë të kërkuara pjesa e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, dhe pjesa e hoteleri-turizmit”, - pohon specialistja e Ministrisë së Arsimit, Dorina Rapti. Vitin e ardhshëm shkollor, për herë të parë, në shkollat e mesme profesionale do të ngrihen dhe bordet, të cilat do të kontrollojnë autonominë e shkollave. Përsa i përket kurrikulave, ndryshimet do të pritet të bëhen nga vetë arsimtarët.