E Shtunë, 31 Tetor 2026

Struktura me tre nivele, çfarë ofrohet

Niveli I, arsimi profesional bazë (hyrje në punësim) i orientuar sipas drejtimeve të gjera profesionale (22 drejtime), me kohëzgjatje dy vite. Ofron certifikatë të përgatitjes bazë profesionale (punonjës gjysmë i kualifikuar /ndihmës) dhe lejon kalimin në nivelin II të arsimit profesional ose në tregun e punës.

Niveli II, arsimi profesional i orientuar sipas disa profileve profesionale për çdo drejtim profesional, me kohëzgjatje 1 vit. Ofron certifikatë të përgatitjes profesionale të punonjësit të kualifikuar si dhe kalimin në nivelin III të arsimi profesional ose në tregun e punës. Për nxënësit që preferojnë të fitojnë Maturën Shtetërore dhe të vijojnë studimet e larta në drejtimet akademike, ofrohet një “Kurs-kalimi” (1-vjeçar) me përmbajtje të orientuar nga kultura e përgjithshme.

Niveli III, arsimi teknik/menaxherial i orientuar sipas drejtimeve (ose profileve) profesionale. Ka kohëzgjatje 1 vit. Në përfundim të këtij niveli shkollimi profesional nxënësit i nënshtrohen provimit të Maturës Shtetërore Profesionale dhe provimit të praktikës profesionale të integruar. Ofron certifikatë të teknikut (ose menaxherit) në profesionin përkatës, si dhe diplomën e Maturës Shtetërore Profesionale. Lejon kalimin në tregun e punës, në arsimin e lartë universitar ose në arsimin post-sekondar.

Arsimi teknik (ose menaxherial) në nivelin III, si bllok i veçantë i orientuar sipas drejtimeve/profileve profesionale të posaçme (jo për të gjitha profesionet). Është me kohëzgjatje 4-vjeçare, pas përfundimit të arsimit të detyruar. Në përfundim të këtij niveli shkollimi profesional, nxënësit i nënshtrohen provimit të Maturës Shtetërore Profesionale dhe provimit të praktikës profesionale të integruar. Ofron certifikatë të teknikut (ose menaxherit) në profesionin përkatës si dhe diplomën e Maturës Shtetërore Profesionale. Lejon kalimin në tregun e punës, në arsimin e lartë universitar ose në arsimin post-sekondar.

Arsimi profesional post-sekondar në nivelin IV, si bllok i veçantë i orientuar sipas profileve specialiteteve profesionale të posaçme. Është me kohëzgjatje 1-2-vjeçare, pas përfundimit të arsimit të mesëm (të përgjithshëm ose profesional). Ofron certifikatë të kualifikimit profesional në profesionin përkatës dhe mundëson kalimin në tregun e punës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›