Profesionalet,interesi i ulët por MASH hap degë të reja
Zirina Llambro
Interesi i të rinjve për arsimin profesional mbetet në nivele tepër të ulëta. Ndonëse prej 4 vitesh Ministria e Arsimit e ka cilësuar si prioritar duke marrë një sërë masash, sërish pakgjë ka ndryshuar. Kësaj here nxënësit po “joshen” me degë të reja.
Nga sa bën me dije MASH vetë drejtoritë e zyrat e arsimit kanë propozuar hapjen e degëve të reja të arsimit profesional në rrethe të ndryshme të vendit. Gjithçka mbi bazën e vëzhgimit të nevojave të tregut dhe politikat nxitëse të MASH për këtë arsim.
“Zhvillimet intensive ekonomike sjellin çdo ditë e më shumë nevojën e rritjes së fuqisë punëtore të kualifikuar në degë të ndryshme të ekonomisë, ndaj është e domosdoshme çelja e këtyre degëve”, sqaron MASH. Sipas zyrës së shtypit të këtij dikasteri, ministri i Arsimit Fatos Beja ka nxjerrë këtë javë një urdhër të ri. Sipas tij në shtator do të çelet dega Elektronikë në shkollën e mesme profesionale, “Petro Sota” në Fier, dega e re Ekonomi-Biznes në shkollën tjetër profesionale të qytetit të Fierit, “Rakip Kryeziu” dhe çelja e degës së Ndërtimit në shkollën profesionale, Rubik. “Kanë përfunduar edhe 2 shkolla të reja profesionale: në Bërdicë, Shkodër, me drejtim mësimor Bujqësi dhe profil Agrobiznes, si dhe në Burrel, me drejtim mësimor “Ndërtim’”, sqaron ministria. Për fitin e ri shkollor janë hapur 9 degë të reja në shkollat ekzistuese profesionale. Në 22 rrethe të vendit funksionojnë 43 shkolla të arsimit teknik dhe profesional, ku nxënësit mësojnë për 35 specialitete të ndryshme. MASH synon zgjerimin e këtyre shkollave në mënyrë që të shtohen të rinjtë shqiptarë me aftësi e kualifikime profesionale në përputhje me kërkesat ekonomike të vendit dhe zhvillimet shoqërore në kontekstin e integrimit Rajonal dhe Evropian. Aktualisht diferenca në numër mes nxënësve që ndjekin arsimin profesional dhe atë të përgjithshëm është tejet e thellë. Vetëm 20% e nxënësve ndjekin shkollat profesionale, objektiv i yni është rritja e numrit të tyre, deri në masën 40 për qind”, shprehen specialistët e MASH. Vëmendje për vitin e ri do t’i kushtohet modernizimit të kurrikulave, duke u siguruar bursa nxënësve që ndjekin arsimin profesional. Kjo sipas drejtuesve të ministrisë do të jetë një nxitje konkrete për të rritur dëshirën e në ndjekjen e këtij arsimimi. “Është planifikuar që t’u jepen bursa të gjithë nxënësve, që do të fillojnë në vitin e parë të këtyre shkollave, pavarësisht kritereve ekonomike dhe notës mesatare”, theksojnë specialistët. Nga sa bën me dije MASH në tre vitet e ardhshme është parashikuar të ndërtohen 6 shkolla tekniko-profesionale. Është parashikuar që për periudhën 2009-2013, të hapen degë të reja të arsimit profesional për agrobiznesin, sidomos në zonat rurale. Për këtë vit shkollor do të zbatohet për herë të parë dhe struktura e re e shkollave profesionale. Ajo ka përqasje me atë të shkollave profesionale të vendeve të përparuara evropiane. “Kjo strukturë është më fleksibël dhe më e përshtatur me dinamikën e zhvillimit të tregut dhe njëkohësisht le të hapur mundësinë e vazhdimit të shkollës së lartë”, kanë deklaruar specialistë të Ministrisë së Arsimit. Sipas tyre, sistemi i reformuar i AFP bart konceptin e të nxënit gjatë gjithë jetës dhe mundëson akumulimin, transferimin dhe njohjen e krediteve për arritjet e fituara, duke u përshtatur gradualisht me standardet dhe nivelet e kualifikimit të pranuara nga Bashkimi Evropian.
Degët sipas shkollave
‘‘Teknologji Informacioni dhe Komunikimi” në shkollat:
“Beqir Çela” Durrës,’
“Pedagogjike” Korçë,
“Pavarësia” në Vlorë;
“Ekonomi-Biznes” në shkollat
“Hysen Çela” Durrës,
“Agro-turizmi” në Golem-Kavajë;
“Hoteleri-Turizëm” në shkollën “Mihal Shahini”, Cërrik;
“Elektronikë” në shkollën “Demir Progri”, Korçë;
“Gjeodet” në shkollën e Ndërtimit, Korçë
“Poligrafi” në shkollën teknike “Karl Gega” në Tiranë.