Profesori, dollarët ishin të SHKB-së
05/02/2005 "Gjithça ishte e montuar dhe e servirur nga agjentët e SHKB-së në Ministrinë e Rendit Publik. Prej kohësh disa prej personave në këtë ministri dhe drejtuesit e Akademisë së Rendit më kishin vënë në shënjestër për të më larguar". Kështu mësohet të jet shprehur dje para gjykatës së shkallës së parë pedagogu i Akademisë së Rendit, Arqile Naska. I marrë nën cilësinë e të pandehurit, pedagogu, u mbrojt në proces nga avokati Sajmir Visha. Nga ana e tij avokati e quajti absurd arrestimin duke pretenduar se në pranga duhet të vihet edhe studenti që e bëri këtë veprim duke u mbështetur në ligjin e ri. Sipas Vishës me daljen e ligjit të ri nuk dënohet vetëm ai që merr paratë, por edhe ai që i jep ato. Një tjetër element që u tha gjatë seancës së djeshme të dhënies së masës së sigurimit personal është edhe fakti se dollarët ishin të servirur nga SHKB-ja. Prokurori Mazreku i kërkoi gjyqtares Rezarta Vigani lënien e të pandeuri Naska në burg deri në përfundim të zbardhjes së çështjes. Sipas prokurorit nukë shtë vetëm studenti Alket Zeneli ai që ka bërë kallzim dhe mori iniciativën për të filmuar pedagogun në momentin e marrjes së parave. Mazreku tha se edhe student të tjerë, ka denoncuar, ndonëse jo me filmimi. Avokati Visha hodhi poshte iden e filmimit. Ai tha se nuk ka asnjë filmim, por gjithçka është e montuar nga ana e agjentëve të SHKB-së. Visha u shpreh se Ministria e Rendit Publik nuk arrin të luftojë korrupsionin që ka dalë në rrugë dhe është shumë hapur, por kërkon të bëjë bujë duke ngritur kurthe për profesorët. Kundër tij është prova e studentit Alket Zeneli, i cili pasi ka biseduar më parë me profesoin ka kërkuar ndihmën e SHKB-së. Ai është kapur në flagranc duke marrë 100 dollarë për kalimin e studentit. Ndërsa prokurori tha se kundër profesorit ka patur edhe ankesa të tjera, madje i është dhënë një vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna. Sipas tij, profesori Naska ka një karrierë 25 vjeçare në detyrë, është shumë i aftë dhe studenti Zeneli nuk ka bërë gjë tjetër, por ka luajtur rolin e agjentit të SHKB-së. Sipas avokatit studenti që ka kryer këtë veprim figuron të ketë qenë person me precedent penal.