E Shtunë, 31 Tetor 2026

Progni: Tri pikët ndaj Vllaznisë, me shumë vlera për ne

Nga ELTON NIKA

Autori i golit të vetëm i Flamurtarit në ndeshjen ndaj shkodranëve, pohon se tani duhet një tjetër fitore, por në kupë

Mesfushori Gerhard Progni, futbollisti që luan sezonin e tretë me fanellën kuqezi, është vlerësuar në ndeshjen përballë Vllaznisë jo vetëm për golin e shënuar, por mbi të gjitha për lojën e realizuar dhe me të drejtë mund të quhet njeriu i ndeshjes për Flamurtarin. Megjithatë, mesfushori pranon se Flamurtari, pavarësisht fitores së merituar, mund dhe duhet të kishte regjistruar një rezultat më të thellë.

Fitorja është gjithmonë e bukur, sidomos kur arrihet ndaj një ekipi pretendent, si Vllaznia, merr më shumë vlera. Kemi fituar me meritë dhe kjo nuk diskutohet, por po të shohësh rastet e regjistruara, fitorja duhej të kishte një tjetër rezultat. Gjithsesi, është një fitore dhe kjo nuk diskutohet me shumë vlera për ekipin dhe për rrugën e ecurinë në kampionat. Jemi pretendentë, Flamurtari ka një ekip shumë cilësor dhe të gjithë kemi treguar se kur kërkojmë një rezultat, e arrijmë atë në fushën e lojës.

Mendoj, dhe ky nuk është vetëm mendimi im, se me Vllazninë kemi zhvilluar një ndeshje vërtet shumë të mirë, duke dominuar ndaj kundërshtarit dhe duke mos i lënë hapësira. Vllaznia ka një ekip cilësor, me futbollistë mjaft të mirë dhe padyshim cilësohet një nga pretendentet. Por në fushën e lojës Flamurtari ka treguar më shumë dëshirë, më shumë cilësi dhe më shumë ego për të fituar takimin. Ndaj ishin tri pikë plotësisht të merituara, por nuk mbaron me kaq, duhet të vijojmë në këtë rrugë, thekson Progni.

Kupa Tashmë pas Vllaznisë, vëmendja kalon te ndeshja e së mërkurës në Vlorë për kupë ndaj Teutës dhe më pas të mendojmë për ndeshjen e radhës në kampionat me Bylisin në transfertë. Duhet të fitojmë në kupë të mërkurën, për të lënë pas edhe atë zhgënjim ndaj Kamzës në këtë kompeticion, megjithëse Flamurtari nuk mendoj se do të ketë probleme për kualifikimin. Fitorja me Vllazninë na ka kthyer në rrugë të mbarë dhe kështu duhet të vijojmë, – përfundon mesfushori i Flamurtarit, Gerhard Progni.

Flamurtari nuk do të heqë dorë nga Sukaj

Flamurtari pëlqen Xhevahir Sukajn. Sulmuesi shkodran duket se ka mjaft admirues në Vlorë, të cilët shpresojnë ta shohin veshur me fanellën kuqezi. Në fakt, interesimi për Sukajn nuk ka munguar edhe gjatë verës së fundit, por rezultoi një transfertë e pamundur. Megjithatë, në Vlorë duket se nuk i kanë humbur shpresat për ta parë sulmuesin e Vllaznisë me fanellën e Flamurtarit.

Pëlqimi për shkodranin është shprehur edhe pas ndeshjes së të shtunës në Vlorë, madje nuk munguan edhe ata të cilët deklaruan se ndoshta në janar vlonjatët mund të bëjnë një përpjekje për ta afruar pranë Flamurtarit. Nëse nuk realizohet në janar, drejtuesit e Flamurtarit e kanë vënë shkodranin si synimin kryesor të sezonit të ardhshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›