Rregullorja e Kuvendit, pritet ngritja e komisionit
Në seancën e sotme plenare pritet të kalojnë për miratim edhe pesë propozimet për anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Megjithëse në rendin e ditës nuk është përcaktuar, burime pranë shumicës qeverisëse kanë konfirmuar se sot për votim do kalojnë edhe kandidaturat e paraqitura për anëtarë bordi, tre nga qeveria dhe dy nga Kuvendi. Megjithëse në hierarkinë e pozicioneve shtetërore ato janë më poshtë se kreu i KLSH-së, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë do të kalojnë me votim të fshehtë, ndërkohë që për t’u miratuar duhet shumicë e thjeshtë votash. Në rendin e ditës së Kuvendi, të bërë publik gjatë ditës së djeshme, është përcaktuar si pikë e pestë votimi i projektvendimit për disa ndryshime në rregulloren e këtij institucioni të propozuar nga një grup deputetësh socialistë. Pavarësisht përfshirjes së tij në rendin e ditës, kjo nismë pritet të mos kalojë për diskutim dhe më pas për miratim, kjo pasi nuk është diskutuar më parë në komision të Ligjeve si komision përgjegjës. Në rendin e ditës hartuesit e tij kanë shpjeguar se mbledhja në komisionin e ligjeve nuk u zhvillua për shkak të angazhimit të deputetëve të opozitës. Çka nuk rezulton të jetë e vërtetë, pasi për shtyrjen e diskutimit të tij mësohet është rënë dakord në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve dhe ajo nuk ka ardhur për shkak të ndonjë angazhimi tjetër të deputetëve të opozitës. Megjithatë, pavarësisht kësaj, palët duket se janë të prirura që të gjejnë një konsensus për shqyrtimin e saj, por kjo vetëm nëpërmjet ngritjes së një komisioni të posaçëm për reformën parlamentare, ku të mos përfshihen vetëm ndryshimet në rregullore por edhe një sërë ndryshimesh të tjera, siç janë edhe ato në ligjin për statusin e deputetit. Ndërkohë që gjatë paradites së sotme pritet dhe një mbledhje tjetër e Konferencës së kryetarëve për të vendosur në lidhje me këtë çështje.