E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi i imunizimit Shqiperia shembull ne rajon

Princesha e Fronit, Lartësia e saj Mbretërore, Mathilde e Belgjikës po zhvillon në Shqipëri një vizitë tri ditore me ftesë të Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili në rolin e saj si përfaqësuese speciale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe në mbështetje të programeve të imunizimit.

Mbretëresha e ardhshme e Belgjikës, Mathilde, zgjodhi për të vizituar Shqipërine, si një vend shembull në rajonin europian në lidhje me programin e imunizimit. 

Gjatë takimit të saj me Ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, Princesha Mathildë u shpreh se është e angazhuar maksimalisht për të mbështetur praktikat më të mira të imunizimit në rajonin europian duke u informuar edhe më mirë rreth zhvillimeve të sistemit të imunizimit në vendin tonë. 

Princesha Mathilde shprehu vlerësimin e saj për Shqipërinë që sipas Princeshës së Belgjikës është vend lider në rajon për problemet e imunizimit.

Ndërsa ka shprehur besimin se vizita e saj do të shërbejë si vizitë e promovimit të praktikave më të mira në lidhje me imunizimin edhe për vendet e rajonit, duke marrë shembull nga Shqipëria.

Ministri i Shëndetësisë i shpjegoi Princeshës Mathilde përpjekjet e bëra në vite për ngritjen e sistemit, përsosjen e tij, futjen dhe zgjerimin e vazhdueshëm dhe cilësor të kalendarit të vaksinimit me vaksina të reja, të financuara 100% nga shteti, punën e bërë me prindërit, nënat e reja për të promovuar vaksinimin e fëmijëve dhe veçanërisht punën e bërë me komunitetet vulnerabël për vaksinimin.

Ministri Vasili përmendi dhe dy momente kulmore ku program i vaksinimit kishte funksionuar me sukses. “E lavdërueshme ka qenë puna e bërë në zhdukjen e poliomielitit në Shqipëri si dhe vaksinimi i fëmijëve kosovarë gjatë krizës kosovare të vitit 1999”, theksoi Ministri Vasili.

Mbretëresha e ardhshme e Belgjikës u prit më pas në një takim të veçantë dhe nga kryeministri Berisha, i cili duke falënderuar Princeshën për misionin  fisnik e përkushtimin e saj, theksoi  se procesi i imunizimit është një nga prioritet bazë të qeverisë, jo vetëm si një element kyç për sistemin shëndetësor, por dhe si ndërhyrje shume efektive me kosto të ulët që ul ndjeshëm sëmundshmërinë, paaftësinë dhe vdekshmërinë.

Kryeministri Berisha i bëri me dije Princeshës se me buxhetin e shtetit është e mundur të mbulohen pothuaj të gjitha shpenzimet për vaksinat dhe se ky buxhet është shumëfishuar ne vite.

“Shtimi i jetëgjatësisë, ulja e mortalitetit amtar dhe atij fëminor në vlera njëshifrore, janë arritje të dukshme.  Dixhitalizimi i sistemit të vaksinimit dhe atij shëndetësor, telemedicina etj., janë ndër hapat e ndërmarrë në kuadër të reformimit të sistemit shëndetësor” tha  Kryeministri.

Në takimin mes shefit te qeverisë dhe Princeshës së Belgjikës u theksua nevoja për të mbajtur lart vëmendjen dhe mbikëqyrjen për sëmundjet infektive, nisur nga rastet të konstatuara në vende të ndryshme të Evropës.

Gjatë vizitës së saj në vendin tonë Princesha Mathilde e Belgjikës ishte edhe në një qendër shëndetësore në Bushat, Shkodër ku pati mundësinë për të parë nga afër si kryhet vaksinimi në Shqipëri si dhe për t’u takuar me punonjësit e sistemit shëndetësor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›