E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi i mijëvjeçarit, ‘OK’ fazës së dytë

Bordi i drejtorëve të Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit (KSM) i ka hapur dritën jeshile propozimit të bërë nga qeveria shqiptare për fazën e dytë të Programit të Pragut. 

FABIOLA ÇELA

 Në bazë të këtij programi synohet që të zvogëlohet korrupsioni dhe të forcohet shteti ligjor në vend. Për realizimin e këtij programi KSM-ja ka akorduar një fond prej 16.4 milionë dollarë. Në shtator pritet që të zhvillohet edhe ceremonia zyrtare për nënshkrimin e marrëveshjes mes dy qeverive.
Programi i ri
“Më 15 gusht 2008, bordi i drejtorëve të Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit (KSM) miratoi propozimin e qeverisë së Shqipërisë për fazën e II-të të Programit të Pragut për zvogëlimin e korrupsionit dhe për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri”, thuhet në njoftimin për shtyp të ambasadës amerikanë në Shqipëri.
Gjatë një takimi të zhvilluar dje mes Kryeministrit Sali Berisha, dhe drejtorit të USAID-it, Eduard Landau, ky i fundit ka njoftuar zyrtarisht mbi vendimin e KSM-së për të mbështetur me një program prej 16.4 milionë dollarësh Shqipërinë. Ceremonia zyrtare e nënshkrimit midis dy qeverive do të zhvillohet në muajin shtator. USAID-i do të menaxhojë këtë program në partneritet me institucione të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare shqiptare.
“Ne jemi të kënaqur të mbështesim këtë program të rëndësishëm për të ndihmuar Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit, në trajtimin e reformave kryesore gjyqësore dhe në hapjen e rrugëve të reja për zhvillimin ekonomik”, ka thënë Landau. Sipas Landaut, një program i fazës II-të do ta ndihmojë Shqipërinë të bëhet më konkurruese për programet e ndihmës dypalëshë të KSM-së, një kompakt KSM-je.
Sfida e mijëvjeçarit
Shqipëria aktualisht po zbaton një Program Pragu të KSM-së që përqendrohet në përgjigjen ndaj korrupsionit në tatime, në regjistrimin e biznesit dhe në prokurime. Programi planifikohet të përfundojë në muajin nëntor 2008. Vetëm dy muaj më parë gjatë një takimi të zhvilluar mes kreut të qeverisë, drejtorit të USAID në Shqipëri dhe përfaqësuesve të Programit Prag të Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit për Shqipërinë, u diskutua mbi arritjet e këtij programi. Gjatë këtij takimi mësohet se përfaqësuesit e USAID-it vlerësuan faktin se tashmë gjithnjë e më shumë biznese në Shqipëri, mbi 1000 të tilla, po paguajnë taksat në mënyrë elektronike. Gjithashtu përfaqësuesit e Programit të Sfidës së Mijëvjeçarit vlerësuan progresin e Shqipërisë lidhur me prokurimet elektronike. Vlera e tenderëve që po prokurohen në mënyrë elektronike arrin mbi 150 milionë dollarë. Një tjetër pjesë e rëndësishme e këtij programi është edhe regjistrimi brenda ditës i biznesit. Me hapjen e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, ky i fundit mund të regjistrohet brenda një dite.

Lufta kundër korrupsionit
Një pjesë shumë e rëndësishme e fazës së dytë të projektit të pragut është edhe lufta kundër korrupsionit. Në fakt jo pak herë korrupsioni në radhët e administratës shtetërore edhe bërë shpeshherë “molla e sherrit” mes pozitës dhe opozitës. Kjo e fundit shpeshherë e ka akuzuar qeverinë për nivelin e lartë të korrupsionit.

Kur ka nisur programi

Më 15 shtator të vitit 2006 u përurua nisja e Programit për Vlerësimin e Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë. Programi në fjalë zbatohej sipas termave të një marrëveshje ndërmjet USAID-it dhe qeverisë së Shqipërisë, të firmosur në prill të 2006. Zbatimi i këtij programi do të zgjasë për një periudhë 2-vjeçare. Gjatë ceremonisë së zhvilluar kreu i qeverisë, Berisha, është shprehur se kjo është një etapë e re shumë e rëndësishme. Së pari, në luftën kundër korrupsionit. Ndërsa në etapën e dytë bëjnë pjesë projektet për modernizimin e administratës shtetërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›