E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten taksat për eksportin e mineraleve

 

Qeveria ka miratuar taksat e reja për eksportin e mineraleve. Një vendim i tillë vjen vetëm pak kohë pasi ministri i Financave Bode, deklaroi se, do të rritet taksa e rentës minerale për eksportin e pasurive të nëntokës. Sipas vendimit të qeverisë, për mineralet metalike të kromit, bakrit, hekurit, renta minerale është dyfishuar, pra nga dy për qind që ka qenë më parë tashmë është në nivelin e 4 për qind. Për grupin e dytë të qymyreve dhe bitumeve është zgjedhur vlera e 4 për qind, pasi deri më tani nuk ka pasur ndonjë zhvillim në eksportin e këtyre mineraleve. E kundërta është vendosur për rentën e materialeve të ndërtimit, e cila është rritur ndjeshëm. Për gëlqerorët taksa që duhet paguar është 4 për qind, ndërsa për pllakat e ndërtimit që merren kryesisht nga Berati, vlera e taksës është 10 për qind. Përveç përcaktimit të rentës për çdo mineral, një tjetër pikë shumë e rëndësishme e vendimit të djeshëm të qeverisë është edhe ajo që ka të bëjë me çmimet e shitjes së produkteve minerale, mbi bazën e të cilave aplikohet edhe përqindja e rentës minerale. Sipas të dhënave, shumë pak subjekte paguajnë tatimfitimin, pasi pjesa më e madhe e tyre rezultojnë me humbje sepse këto kompani deklarojnë çmime të ulëta të shitjes për eksport të mineraleve. Në këto raste organet përgjegjëse do t’i referohen dosjes me të dhënat e disponueshme për vlerën e eksporteve minerale, ku janë të përcaktuara edhe vlera e shitjes e këtyre mallrave.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›