E Shtunë, 31 Tetor 2026

Progres- raporti Turdiu Presim nje vleresim real

Brukseli zyrtar do të sjellë më 12 tetor, progres raportin për Shqipërinë drejtuar tri zyrtarëve të lartë, kryeministrit Sali Berisha, ministrit të Jashtëm dhe ministres së Integrimit. Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu në një intervistë për AS thotë se qeveria shqiptare pret një vlerësim real nga ana e BE-së për atë që ka ndodhur në një vit në Shqipëri. Turdiu thotë se nuk ka asnjë surprizë në mënyrën e hartimit të progress raportit. Sipas tij, nga informacionet që disponon ministria e jashtme vlerësimet do të bazohen në atë çka ka ndodhur gjatë një viti në Shqipëri dhe pas 12 tetorit do të vendoset se cilat do të jenë detyrat e rradhës për institucionet dhe sferën politike.

“12 rekomandimet nuk do t’i shikoja në aspektin politik, do t’i shikoja e nevojës së Shqipërisë për të bërë progres në fusha të caktuara apo nevoja për të përparuar në reformat ë caktuara. Qeveria shqiptare është e pregatitur për marrjen e këtij raporti. Kemi shkëmbyer me Bashkimin Europian dhe me shërbimet e Komisionit Europian informacionet që na janë kërkuar. Kemi pasur disa analiza që të vendosim sëbashku, Shqipëria dhe Bashkimi Europian, se çfarë vjen më pas”- tha Turdiu.

12 rekomandimet e Brukselit për Tiranën zyrtare ende nuk kanë gjetur zbatim nga kampet politike, ndërkohë që kanë ngelur edhe 42 ditë kohë, që Shqipëria të përmbush kërkesat e ndërkombëtarëve për të ecur drejt rrugës së integrimit. Sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu thotë se liberalizimi i vizave janë pika më e fortë dhe më pozitivja në raportin e Brukselit.

“Statistikat janë shumë të bardha në kuptimin që asnjë kërkesë për azil politik nga një person I cili ka kaluar zonën shengen me pasaportë biometrike nuk ka”- tha Turdiu.

Vendimi i muajit korrik të këtij viti për shkurtime në stafin diplomatik shqiptarë është korrigjuar nga ministria e Financave duke i akorduar ministrisë së Jashtme fondin e nevojshëm për të mos prekur kancelaritë shqiptare diplomatike jashtë vendit.

“Ky buxhet që ne kemi sot është një e dhënë shtesë për realizimin e objektivave të shërbimit të jashtëm në përputhje me programin e qeverisë. Duke qenë se objektivat themelore mbeten të paprekura dhe ne nuk kemi ndjerë nevojën për të bërë shkurtime në shërbimin e jashtëm, qoftë në personelin e përfaqësive, qoftë  në personelin e ministrisë së Jashtme”- tha Turdiu.

Vlerësimet në progres-raport do të bazohen edhe në dokumentin e fundit zyrtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 8 majit. Krahas 12 rekomandimeve, klasa politike morri edhe 27 sugjerime nga BE të cilat duhet ti zbatoj me kushtin e vetëm, integrimin e Shqipërisë.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›