E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet nga te huajt PD kunder. Gjana Vetem sugjerimet e OSBE-se

Ende pa nisur tryeza e reformës zgjedhore, Partia Demokratike rrëzon pretendimin e socialistëve që zgjedhjet në Shqipëri të administrohen nga të huajt. Deputeti i PD-së, Jemin Gjana thotë për AS se axhenda e reformës elektorale duhet të marrë parasysh rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për vitin 2009 dhe 2011.

“Unë nuk besoj se Shqipëria që mund ta lërë administrimin e zgjedhjeve në duart e të huajve. Të huajt janë për të monitoruar dhe për të vëzhguar. Lidhur me kodin zgjedhor mendoj se rekomandimet e 2009 dhe rekomandimet e 2011 duhet të bëjnë bazën thelbësore për ndryshimet në kodin elektoral”- tha Gjana.

Referuar polemikave të shumta se ndryshimi i kodit zgjedhor kërkon rrjedhimisht edhe ndryshimin e Kushtetutës, Gjana thotë se për këtë ka specifika të qarta të cilat nuk lidhen me njëra- tjetrën. Lidhur me formulën e KQZ-së, demokratët thonë se nuk do të pranojnë që opozita të ketë postin e kreut të këtij institucioni.

“Asgjë nuk është e padiskutueshme, pork am bindjen se nuk është e lehtë dhe askush nuk mund të jap receta paraprake se si duhet të jetë formati I KQZ, por është një pikë debati e thellë, e vështirë, jo e lehtë sepse palët nuk duhet të mendojnë se do të mund të ndërtojnë komision për të bllokuar gjithë procedurat e zgjedhjeve dhe të nxjerrjes së rezulatit”- Gjana.

Deputeti Gjana flet edhe për letrën e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Europës drejtuar Komisionit të Venecias për zgjedhjet në Tiranë dhe kodin e ri elektoral.

“Zgjedhjet e Tiranës janë tashmë të çertifikuara. Komisioni i Venecias mund të japë rekomandime bazuar në monitorimin që I është bërë zgjedhjeve edhe të 2009 edhe të 2011. Mund të japë rekomandime të cilat mund të bëhen pjesë e diskutimit të komisionit që do të ngrihet për reformën zgjedhore. Nuk është Komisioni I Venencias një organ vendimmarrës që të ndryshojë rezultatin”- Gjana.

Mazhoranca është treguar e gatshme në këtë pikë për t’i shtrirë dorën e bashkëpunimit opozitës vetëm për zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it për zgjedhjet e 2009 dhe 2011. Kompromiset e reja mes dy subjekteve politike priten të ndryshojnë konjekturat e draftit final që do i paraprijë mbledhjes së tryezës së reformës zgjedhore.

Erion Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›