“Progresi juaj i lavdërueshëm rrit shanset e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së”
Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj priti Ministrin e Shtetit të Ministrisë e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Vernor Coaker
TIRANE - Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj priti dje në një takim Ministrin e Shtetit të Ministrisë e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Vernor Coaker. Në këtë takim Vernor Coaker u njoh me progresin e bërë nga Ministria e Drejtësisë në çështjet e reformës në drejtësisë, të cilat janë bërë për të ndihmuar pozitivisht sistemet e pavarura, si prokurori dhe gjyqësor në ushtrimin e kompetencave të tyre.
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj e konsideroi pjesën e parë të reformës në gjyqësor si një reformë që prek individin gjyqtar, individin prokuror, si një reformë e realizuar me sukses. Ministri deklaroi se pjesa e dyte e reformës do të jetë legjislative. Ajo do të përqendrohet kryesisht në ndryshimet në kodin e procedurës penale dhe ndryshimet në kodin e procedurës civile.
Nga ana e tij Ministri i Shtetit, Vernor Coaker duke folur për ndryshimet ligjore të bëra gjatë vitit të shkuar u shpreh se, “Ju keni bërë progres të lavdërueshme, duke rritur kështu shanset e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së. Britania do të ofrojë mbështetjen e saj për Shqipërinë në fushën e zbatimit të ligjit dhe zhvillimit të drejtësisë penale”.