“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese shkel parimin e paanshmërisë së institucioneve të drejtësisë”

Reagon PBLD për pezullimin e ligjit të dosjeve
TIRANE - Kryetari i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arjan Starova, e ka vlerësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit të lustracionit, si “veprim të padrejtë ligjërisht dhe të pamoralshëm, pasi shkel parimin e paanshmërisë së institucioneve të drejtësisë”. Këtë deklaratë Starova e bëri dje gjatë një konference për shtyp, ku ndër të tjera deklaroi se “me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese provoi se është pjesë e problemit që ka synuar të zgjidhë zbatimi i ligjit për pastrimin e figurave publike”.
Kryetari i PBLD-së vlerësoi se “në vend që të merrte një vendim të tillë, Gjykata Kushtetuese duhej të kishte respektuar vetveten si institucion, duke shpallur paaftësinë e vet për marrjen e këtij vendimi për shkak të konfliktit të interesave”.
Sipas Starovës “rrugëzgjidhja e vetme, e cila do t’i hapte rrugë zgjidhjes së problemit, ishte dorëheqja e atyre anëtarëve të Gjykatës, që janë të vetëdijshëm se nuk duhet të jenë pjesë e këtij institucioni, duke dhënë kështu një shembull morali të lartë si njerëz të drejtësisë”, tha Starova.
Kryetari i PBLD-së deklaroi se “Gjykata Kushtetuese shpalli hapur përpara opinionit publik shqiptar, mungesën e vullnetit për të mbështetur me mjete ligjore dënimin e krimeve të komunizmit, krime të cilat dënohen sipas të gjithë dokumenteve ndërkombëtare”.
Starova e cilësoi qëndrimin e kushtetueses të njëjtë me atë të opozitës kur deklaroi se “me këtë veprim, kjo gjykatë shpalli hapur qëndrimin shpërfillës kundrejt krimeve të komunizmit, të njëjtë me partinë kryesore opozitare, Partinë Socialiste”, u shpreh zoti Starova.
Kryetari i PBLD-së deklaroi se partia e tij do të jetë në mbështetje të mazhorancës për zbatimin e ligjit të dosjeve, të cilin e konsideroi sit ë domosdoshëm për gjithë shoqërinë shqiptare.