“Shtohen veprat penale dhe rrethi i përfituesve, shtyhen afatet e dokumenteve thjeshtohen procedurat”

Ministria e Drejtësisë mbështet nisëm për miratimin e projektligjit “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”
TIRANE - Ministria e Drejtësisë ka bërë ët ditur dje se mbështet nisëm që ka ndërmarrë Kuvendi i Shqipërisë për miratimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007 ‘Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist’” Duke konfirmuar këtë gatishmëri, nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Ministria e Drejtësisë ka bërë ët ditur dje se deri në datën 19 Dhjetor 2008 pranë kësaj ministrie janë paraqitur 17 579 kërkesa për dëmshpërblim financiar bazuar në këtë ligj, të cilat janë trajtuar dhe po trajtohen nga ana e saj.
“Ministria e Drejtësisë, si autoritet i njohur nga ligji për trajtimin e kërkesave në zbatim të ligjit ‘Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist’ ka përfunduar trajtimin në mënyrë të suksesshme të për mbi 1 400 kërkesave, të miratuara edhe nga Këshilli i Ministrave dhe për të cilat do të shpërndahet dëmshpërblimi financiar”, bënte të ditur dje Ministria e Drejtësisë.
Më tej, Ministria e Drejtësisë bënte ët ditur dje se mbështet projektligjin e propozuar dhe jep kontributin e saj për përmirësimin e këtij projekti.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ky projekt synon, “zgjerimin e listës së veprave penale politike të përcaktuara në nenin 5 të ligjit aktual; zgjerimin e rrethit të përfituesve të dëmshpërblimit financiar të përcaktuar në nenin 8 të ligjit aktual, duke përfshirë motrën, vëllanë, nipin apo mbesën e ish të dënuarit politik; shtyrjen e afatit të paraqitjes së kërkesave deri në datën 01 korrik 2009, afat i cili sipas nenit 19 të ligjit aktual ka përfunduar në datën 19.12. 2008;, dëmshpërblimin financiar të të ekzekutuarve pa gjyq; dhe thjeshtëzimin e dokumentacionit provues për të internuarit në kampe me rrethim me tela me gjemba”.
Ndërkohë, dje, Komisioni parlamentar i Ligjeve ka shqyrtuar mundësinë e disa ndryshimeve në ligjin “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të propozuara nga deputeti i PD-së, Astrit Bushati.
Ky draft përmirëson atë ekzistues duke bërë që të përfitojnë disa kategori personash të persekutuar nga regjimi komunist dhe të dënuar nga ligjet speciale në vitet 1945-1946. Ky projektligj i propozuar nga Kuvendi i Shqipërisë iu mundëson familjarëve të personave të dënuar apo të pushkatuar, që nuk kanë qenë të martuar, të përfitojnë nga drafti i ri. Drafti i propozuar përmirëson atë të vitit 2007, duke bërë që të përfitojnë dhe ato persona të cilët nuk ishin të përfshirë nga ligji i mëparshëm.
Çfarë synon ky projekt
1. Zgjerimin e listës së veprave penale politike të përcaktuara në nenin 5 të ligjit aktual. Në Ministrinë e Drejtësisë janë paraqitur rreth 50 kërkesa nga ish të dënuarit për veprat penale që propozohen të shtohen dhe ky ndryshim është pozitiv për këtë kategori.
2. Zgjerimin e rrethit të përfituesve të dëmshpërblimit financiar të përcaktuar në nenin 8 të ligjit aktual, duke përfshirë motrën, vëllanë, nipin apo mbesën e ish të dënuarit politik. Në Ministrisë së Drejtësisë janë paraqitur rreth 460 kërkesa, nga shtetas me këtë lidhje me ish të dënuarin (motra, vëllai, nipi apo mbesa) dhe ky ndryshim është pozitiv për ta.
3. Shtyrjen e afatit të paraqitjes së kërkesave deri në datën 01 korrik 2009, afat i cili sipas nenit 19 të ligjit aktual ka përfunduar në datën 19.12. 2008. Në Ministrinë e Drejtësisë janë paraqitur, pas afatit të përcaktuar në ligj 19. 12. 2008 rreth 665 kërkesa, me tendencë në rritje. Ky ndryshim i jep të drejtën e përftimit të dëmshpërblimit financiar edhe këtyre aplikuesve.
4. Ministria e Drejtësisë sugjeron të shtohet nëpërmjet kësaj nisme, situata e të ekzekutuarve pa gjyq duke përfshirë dëmshpërblimin financiar edhe për këtë kategori. Për këtë duhet shfrytëzuar përmbajtja e nenit 2 të ligjit nr. 9831, që lejon ndërmarrjen e nismave të njëkohshme ose të mëvonshme, ligjore apo administrative për të cilat i shërbejnë rivendosjes së drejtësisë dhe dinjitetit shoqëror të kësaj shtrese apo krijimit të kushteve favorizuese, për riintegrimin shoqëror të tyre.
5. Ministria e Drejtësisë sugjeron të saktotësohet nëpërmjet kësaj nisme dokumentacioni provues për të internuarit në kampe me rrethim me tela me gjemba. Sugjerohet që dokumentacioni i kërkuar nga ligji aktual “vendim administrativ politik internimi që tregon edhe veprën penale politike” të thjeshtohet duke u zëvendësuar me “akt administrativ apo dokument zyrtar që provon internimin në kamp me rrethim me tela me gjemba”.