E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekt për disiplinimin e ujërave të zeza

23/06/2009  Nga Përroi Agait deri tek Plepat në Durrës. Investimi 8, 9 milionë euro nga kuvajtianët

DURRES- Brenda një periudhe disamujore tërë vija bregdetare nga Përroi i Agait deri në Plepa të Durrësit do të ketë të zgjidhur problemin e disiplinimit të ujërave të zeza. Projekti për kolektorin e ujërave të zeza nga kufiri ndarës i Durrësit me Kavajën dhe deri në Plazhin e madh është miratuar që në vitin 2006 pas një pune më shumë se 1-vjeçare të kompanisë konsulente Italconsult s p a.

Kanalizimet

Pjesa e by passit të Durrësit është përqendruar në njërën anë në ndërtimin e kolektorit të madh dhe në anën tjetër në bërjen e mbikalimit të Shkozetit. Zona bregdetare tek Pishat e Buta, Mali Robit, Golem, Shkëmbi i Kavajës shqetësim kryesor ka pasur çështjen e ujërave të zeza, pasi në disa raste fekalet derdheshin natën në det në mënyrë të fshehtë duke ndikuar në ndotjen e ujit dhe të rërës. Ndërsa çështja e ujit të pijshëm deri diku mori zgjidhje për këtë pjesë të vijës bregdetare në Gjirin e Durrësit përmes ndërtimit të rezervuarit të Manskurisë, kolektori i ujërave të zeza u shndërrua në një kërkesë që kërkonte zgjidhja së më të shpejtë. Plot 8.9 milionë euro është fondi që i është afruar projektit dhe që mendohet të përfundojë në fillim të pranverës së vitit 2010. Drenimi i ujërave do të përshkojë një hartë për të mbledhur të gjitha ujërat e zeza në zonën bregdetare nga Golemi deri në Plepa dhe do i japë zgjidhje përfundimtare çështjes së debatuar në vite për gropat septike, klorifikimin e tyre dhe të koshave e pikave të grumbullimit të mbetjeve urbane. Kanali do të jetë trapezoidal masiv dhe në gjatësinë 4.5 kilometër kanali do të shtrihet përgjatë rrugës kombëtare nga Përroi i Agait drejt mbikalimit tek Plepat, ku edhe do të bashkohet me kolektorin tjetër për të përshkuar më pas gjatësinë deri tek Ura e Dajlanit. Vetëm ndërtimi i kolektorit do të kushtojë 3.9 milionë euro dhe së bashku me mbikalimin në Shkozet fondi i afruar nga kuvajtianët do të shkojë në 8.9 milionë euro. Me shtrimin e tubacioneve do të nisin edhe linjat sekondare nga banesat e lokalet deri në kolektor. Zona në fjalë është e gjitha e ndërtuar rishtazi pas viteve ‘90 dhe aty gjenden pallate, hotele, motele, restorante, disko etj të gjitha në shërbim të pushuesve në stinën e verës. Për shkak të pozicionit me nivelin e detit deri në instalimet e reja të ujit të pijshëm, në mënyrë të përsëritur ujërat e zeza dilnin në sipërfaqe për shkak të fryrjes së pusetave. Po ashtu një pjesë e hoteleve e pallateve hapnin kanalet në mënyrë të fshehtë në të gdhirë të ditës dhe duke përfituar nga situata kanë zbrazur në det kanalet e mbushura me fekale. Jo pak herë mjekët kanë dhënë në këto vite edhe alarmin për ndotjen e zonës si dhe infeksionet e pushuesve, të cilët janë ndeshur me dhjetëra raste të ekzemave dhe sëmundjeve të tjera të lëkurës për shkak të ndotjes së rërës e të detit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›