E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rrugë tjetër më e madhe e kombit”

23/06/2009  Shefi i ekzekutivit premton nga Bulqiza ndërtimin e Rrugës së Arbrit

Berisha premton uljen me 5 vjet të moshës së pensionit për minatorët

Kryeministri Sali Berisha ka premtuar në tubimin elektoral në Bulqizë se brenda mandatit të dytë të qeverisë së Partisë Demokratike do të përfundojë tërësisht ndërtimi i një tjetër rrugë, një ndër arteriet më kryesore të vendit - Rruga e Arbrit. Ai premtoi se në katër vjetët e ardhshëm Shqipëria do të jetë vendi i rrugëve më të shkurtra, me projekte të mëdha, që nisin dhe të tjera që janë në vazhdim. “Rruga e Arbrit, kjo rrugë e parametrave tërësisht evropiane, është rruga tjetër më e madhe e kombit. Kjo rrugë ju afron ju me Tiranën, ju shkurton më shumë se 50 për qind nga koha që ju udhëtoni tani, duke i dhënë mundësi të reja zhvillimi kësaj zone”, - tha kreu i qeverisë. Sipas tij, Rruga e Arbrit shkurton distancën midis Peshkopisë dhe Tiranës, midis Shkupit dhe Tiranës pothuajse 100 kilometra. Gjatë këtij takimi elektoral Berisha u shpreh se Bulqiza është një rreth me një perspektive realisht të madhe. Ai tha se në këtë trevë janë nënshkruar kontratat për ndërtimin e 15 hidrocentraleve me një fuqi prej 51 megavat. Gjatë këtij mitingu Kryeministri Berisha u premtoi minatorëve të Bulqizës, por edhe të të gjithë vendit, se një ndër ligjet më të para që do të kalojë në Parlament është shkurtimi me 5 vjet i kohës së pensionit për minatorët. Sipas tij, ky shkurtim i moshës për efekte pensioni do të ketë fuqi të plotë prapavepruese. Gjithashtu ai premtoi se pensionet e minatorëve do të vendosen në shkallën më të lartë të pensioneve.

Kryeministri Berisha u shpreh se përpjekjet e qeverisë për të ndryshuar jetën e qytetarëve kanë qenë serioze dhe do të jenë edhe më serioze në të ardhmen përmes investimeve të shumta. “Unë jam sot këtu për t’ju garantuar se në të gjitha komunat dhe fshatrat e këtij vendi ne do të asfaltojmë të gjitha rrugët, do t’i lidhim ato me Bulqizën përmes rrugëve të asfaltuara. Do të rindërtojmë të gjitha shkollat që kanë mbetur pa rindërtuar, qendrat shëndetësore, pra do të bëjmë që aty ku ju jetoni të keni kushte njësoj si lagjet e qytetit”, - deklaroi Berisha. Ai premtoi se qeveria do të financojë çdo projekt të fermerëve të Bulqizës, për çdo kulturë që ata do të mbjellin, ose për blegtorinë, sikundër do të subvencionojmë naftën dhe imputet e tjera bujqësore. “Pasuritë e Bulqizës do t’i shndërrojmë në pasuri për qytetarët e saj. Lë t’u bëjmë një thirrje të gjitha banorëve të Bulqizës, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, që të bashkohen me ne, në projektin e Bulqizës evropiane, të Shqipërisë evropiane”, - tha ai.

Berisha në Krujë

“Ju jap fjalën se një nga projektet e rëndësishme do të jetë rruga e re Tiranë–Krujë–Qafështamë. Zotohem para qytetarëve të Krujës se katër vjetët që vijnë rrogat dhe pensionet e krutanëve dhe të gjithë shqiptarëve do të jenë më të larta së ato të gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. U premtoj fermerëve të Krujës së qeveria do të financojë çdo rrënjë ulliri të mbjellë në këtë tokë. Ulliri juaj është më i shijshmi jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën. Ne do të financojmë të gjitha projektet që ju do të ndërmerrni për nxitjen e prodhimit, për drurët frutorë, për kulturat e tjera bujqësore dhe për blegtorinë.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›