E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri nuk jep ushqim për policët, kërkon për Gardën

Vendimi Qeveria miraton propozimin e Lulzim Bashës

Edhe pse deri më sot, policia nuk ka përfituar asnjë vakt ushqim, pavarësisht se është përcaktuar me vendim të qeverisë, ajo ka miratuar një vendim të tillë edhe për Gardën e Republikës. Ditën e djeshme, Këshilli i Ministrave vendosi trajtimin me ushqim pa pagesë të efektivëve të Gardës së Republikës. Një vendim i tillë është marrë për policinë që në vitin 2007, ku janë kaluar edhe të gjithë urdhrat e nevojshëm, por efektivët nuk e kanë gëzuar asnjëherë këtë shërbim. çdo muaj, pavarësisht vendimit të qeverisë, më shumë se 6 mijë policëve u mohohen 6 mijë lekë të përcaktuara për ushqim. Në lidhje me vendimin e djeshëm për Gardën, qeveria vendosi trajtimin me ushqim, pa pagesë, për efektivët e Gardës së Republikës, sipas mënyrës dhe kategorive të poshtëshënuara: “Me një vakt (drekë) ushqim, efektivat që shërbejnë në strukturat operuese të Gardës së Republikës. Me tre vakte ushqim, njësia e ndërhyrjes së shpejtë, grupet e gatshme, të cilave, për natyrë të veçantë pune, shërbimi u zgjat më shumë se koha normale e punës. Me tri vakte, i gjithë efektivi i Gardës së Republikës, për rastet e kalimit në gatishmëri”. Në pikën dy të vendimit shpjegohet se strukturat, numri sipas strukturave dhe normat e trajtimit me ushqim, për çdo vakt, përcaktohen me urdhër të ministrit të Brendshëm. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, mbulohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Brendshme. Vendimi nr. 256, datë 13 qershor 1994, i Këshillit të Ministrave, “Për rritjen e normës së trajtimit ushqimor të kompanisë operative në Gardën e Republikës” është shfuqizuar, ndërkohë që janë ngarkuar ministri i Brendshëm dhe Komandanti i Gardës së Republikës për zbatimin e këtij vendimi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›