Projektbuxheti i ri, 3.2 miliardë euro, ja si do të shpërndahet
Projektbuxheti i vitit 2012 parashikohet të jetë në total rreth 3.2 miliardë euro. Projektligji financiar ka shkuar për konsultim paraprak në qeveri, por ky nuk do të jetë versioni përfundimtar. Burimet nga Ministria e Financave bënë me dije se, Ministria e Financave do të bëjë një konsultë paraprake me qeverinë para se të vijë misioni i FMN –së për të shmangur ndryshimet surprizë. Misioni i FMN-së pritet të vizitojë vendin në fund të këtij muaji për të dhënë edhe rekomandimet përkatëse. Projektbuxheti që po finalizon Ministria e Financave për vitin 2012 parashikohet të jetë afërsisht 3.2 miliardë euro, ose rreth 360 miliardë lekë. Për të shmangur situatat në të cilat u gjend buxheti i këtij viti, ku të ardhurat u parashikuan shumë më të larta se mundësitë reale të ekonomisë, Ministria e Financave këtë vit ka hartuar një buxhet me konservativ për vitin 2012. Rritja e rrogave dhe pensioneve do të jetë modeste. Ndërsa pjesën më të madhe të fondeve do t’i marrin sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe transporteve. Fondet për investime janë parashikuar pak më shumë se 71 miliardë lekë . Infrastruktura rrugore në Shqipëri është sektori që ka përfituar dhjetëra miliarda lekë nga buxheti i shtetit, si dhe nga financime të huaja, për vetë gjendjen e rëndë në të cilën ndodheshin rrugët tona kombëtare. Por, përparësi absolute gjatë këtyre viteve ka qenë ndërtimi i “Rrugës së Kombit”, Durrës-Kukës-Morinë. Por, duket se me përfundimin e kësaj rruge paratë e shtetit po rrudhen nga viti në vit. Kështu, nga 59,8 miliardë lekë që u dhanë gjatë vitit 2008, kjo shumë thuajse është përgjysmuar në vitin 2011deri në 34,7 miliardë. Ndërsa pritet që buxheti i vitit të ardhshëm të sjellë edhe më pak para për këtë sektor. Aktualisht, financat kanë u konsultuar me institucionet buxhetore tavanet e shpenzimeve, por ato pritet të jenë më të ulëta se buxheti i rishikuar i këtij viti. Ndërkohë që ekspertë të ekonomisë nga mazhoranca deklarojnë se në buxhetin e vitit të ardhshëm është planifikuar një plan më konservativ i të ardhurave dhe shpenzimeve, si dhe një rritje më e ulët ekonomike. Ndoshta fakti që prioritet thelbësor për qeverinë shqiptare do të vazhdojë që të mbetet thellimi i konsolidimit makro-ekonomik, ruajtja e deficitit dhe ndoshta kalimi i borxhit në nivele më të ulëta, gjë që unë e kam konsideruar si një sfidë më tepër afatmesme. Vetëm pak ditë më parë Kryeministri Sali Berisha, u shpreh se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë më i madhi në historinë e vendit dhe pavarësisht rrethanave të krizës ekonomike, nuk do të ketë shkurtime të shpenzimeve në infrastrukturë për të realizuar programin qeverisës. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Financave, ruajta e një deficiti të ulët dhe reduktimi i borxhit publik pritet të karakterizojnë buxhetin e vitit të ardhshëm. Ndërsa prioritet në ndarjen e fondeve të buxhetit të vitit të ardhshëm do të kenë projektet e nisura tashmë. Megjithatë, paraqitja e këtij drafti përfundimtar të buxhetit javën e ardhshme nga Kryeministri, pritet të nxjerrë në dritë dhe hollësitë e ndarjes së fondeve. Pas miratimit në qeveri, projekt-buxheti do të kalojë për diskutime në parlament. I gjithë procesi parashikohet të mbyllet deri në fillim të muajit dhjetor.