Rama i përgjigjet Malajt: Ata që ankohen për lirinë, nuk dinë ç’të bëjnë me të
Zërat e shtuar në radhën e kupolës rozë për mungesë demokracie dhe lirie në Partinë Socialiste kanë bërë që më së fundi kryesocialisti Edi Rama të thyejë heshtjen dhe të japë komentin e tij. Ndryshe nga sa ka ndodhur në të shkuarën, ku Rama nuk ka denjuar të merret me zërat e kundërt brenda radhëve të socialistëve, duke shfrytëzuar komunikimin virtual në ‘Twitter’, ai u ka kthyer përgjigje të gjithë të pakënaqurve për gjendjen e lirisë dhe demokracisë në parti. Duke iu referuar pikërisht procesit të djeshëm zgjedhor për delegatët e Kongresit, Rama ka shprehur se ky votim është shprehje kuptimplotë e lirisë brenda partisë. Ndaj ka komentuar më tej ai, të gjithë ata që shprehin pakënaqësi për masën e lirisë, përbëjnë atë kategori që nuk dinë si ta shfrytëzojnë atë. “Teksa PS voton demokratikisht Kongresin, një fjalë për ata që thonë s’ka liri në PS: Kush s’di ç‘të bëjë me lirinë, ankohet nga mungesa e saj”, - shprehet kreu socialistë Edi Rama në një mesazh të shkurtër në faqen e tij zyrtare në ‘Twitter’. Ndërkohë, vetëm dy ditë më parë deputeti socialist dhe anëtari i Kryesisë, Arben Malaj, si dhe kryetari i PS-së së rrethit Vlorë, Kujtim Sulçe shprehën pakënaqësi për nivelin e demokracisë dhe lirisë në PS. Madje, ky i fundit me mungesën e lirisë dhe demokracisë në PS, motivoi dhe largimin prej saj dhe bashkimin me LSI-në. Ndërkohë që Malaj, në një takim të zhvilluar në Kombinat duke iu referuar pikërisht situatës në PS u shpreh se mbyllja e rrugëve të konkurrencës dhe meritokracisë ka bërë që kjo forcë politike të mos fitojë asnjë garë politike në gjashtë vitet e fundit. “Nuk kemi fituar akoma pas 6 vjetësh asnjë garë politike përballë Berishës, duke i dëmtuar rëndë kështu të gjithë shqiptarët me zgjatjen e jetës së kësaj qeverie të dështuar dhe të korruptuar. Kemi 6 vjet që i pengojmë të rinjtë dhe gratë të vetorganizohen. Kemi 6 vjet që nuk krijojmë dhe mirëpërdorimin sinergjitë pozitive të të rinjve dhe grave të përkushtuara, sepse parimi i ndërtimit të ekipeve politike nuk bazohet në parimin e meritokracisë dhe kontributeve, por në servilizëm dhe klientelizëm”, - tha Malaj. F.Braushi