Projektet e financuara nga buxheti i shtetit, në dyshim përfundimi i investimeve
Dhjetëra projekte të ndryshme, që kanë filluar të financohen me fonde të buxhetit të shtetit, rrezikojnë që të mbeten pa përfunduar për shkak se nuk janë akorduar fondet përkatëse sipas punimeve të kryera. Projektet në fjalë, megjithëse janë tenderuar në vlerë të plotë, fondet që janë lëvruar për to nuk e kalojnë shumën e 15-20 për qind të totalit të investimit.
Në një situatë të tillë, në shumë komuna të Kavajës rrezikohet përfundimi i punimeve, pasi firmat që janë shpallur fituese në këto tendera nuk kanë pranuar që të vazhdojnë punimet pa u likuiduar sipas situacioneve përkatëse. Një shembull tipik ndodh në komunën e Lekajt në Kavajë, ku aktualisht janë duke u kryer katër investime të tilla. Nënkryetari i kësaj komune, Bashkim Greca ka pohuar se në katër projekte që qeveria ka vendosur të financojë në këtë komunë, vlera e çelur për këto investime varion nga 10 për qind deri në 20 për qind maksimumi. Nënkryetari Greca ka pohuar se kanë marrë porosi që tenderimet të kryhen me vlerë të plotë, megjithëse nuk ka asnjë garanci se kur do të jepen fondet shtesë që këto investime të përfundojnë ashtu siç parashikohet në projektet përkatëse. Konkretisht bëhet fjalë për investimin për rikonstruksionin e rrugës Luz i Vogël-Luz i Madh me gjatësi 2 km. Tenderi për këtë rrugë është zhvilluar në 31 tetor të vitit të kaluar, ndërkohë që vlera e tenderit ishte 25 milion lekë. Për këtë rrugë janë lëvruar vetëm 3 milion lekë, ndërkohë që shkresa e qeverisë ka qenë që tenderi për këtë investim të bëhet me vlerë të plotë. Në këtë rrugë parashikohet që të hidhet çakëll, stabilizant në dy shtresa nga 5 cm si dhe shtresa e asfaltobetonit prej 4 cm trashësi. Punimet e kësaj rruge janë duke vazhduar, megjithëse janë shfaqur disa vonesa për shkak të motit dhe kohës së keqe. Aktualisht nuk dihet nëse firma që ka fituar tenderin do të vazhdojë deri në fund sipas projektit. Një investim tjetër është ai që nis nga Autostrada drejt kompleksit të Luzit të Madh me gjatësi 1.7 km dhe vlerë 23 milion lekë. Tenderi për këtë investim pritej të zhvillohet sot në 31 mars, por është shtyrë për shkak të ankesave të disa firmave që janë të interesuara për të marrë pjesë në këtë tender. Edhe për këtë investim porosia është që tenderi të kryhet me vlerë të plotë, ndërkohë që janë lëvruar vetëm 2 milion lekë për firmën që do të fitojë tenderin. Investimi i tretë është ai që lidhet me rikonstruksionin e rrugës Luz i Madh-Shkozet me gjatësi 1384 metër linear dhe vlerë1 3.9 milion lekë. Tenderi për të shpallur firmën fituese për këtë investim pritet të zhvillohet në 10 prill të këtij viti, ndërkohë që Ministria e Brendshme ka dhënë vetëm 2 milion lekë si fillim, në një kohë që edhe për këtë ka kërkuar të zhvillohet tenderim i plotë. Projekti i fundit ka të bëjë me investimin për ujësjellësin që parashikohet të furnizojë me ujë të pijshëm fshatin e Shkozetit. Projekti kushton 5 milion lekë, pro edhe këtu është dhënë porosia që tenderi të kryhet me vlerë të plotë sepse janë dhënë vetëm 2 milion lekë. Në këtë projekt është parashikuar të kryhet shpimi i pusit dhe ndërtimi i rrjetit të ri të furnizimit për një popullsi prej rreth 1000 banorë.