E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektet energjitike te Shqiperise

“Shqipëria është duke u përpjekur të tërheqë investitorët e huaj në tregun e saj të energjisë, pasi ajo është duke diversifikuar burimet e saj të energjisë dhe duke privatizuar një pjesë të burimeve ekzsituese të infrastrukturës së saj”. Kështu shkruan në një artikull të saj për Shqipërinë revista e mirenjohur ekonomike dhe financiare “Bloomberg” një botim i përjavshëm i fokusuar kryesisht në çështjet ekonomike dhe të biznesit në tregjet globale. Revista “Bloomberg” i referohet një prononcimi të zv.ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Enno Bozdo dhe shkruan se, qeveria shqiptare, e cila ka kontraktuar afërsisht  5.2 miliardë euro në projektet e prodhimit të energjisë së erës dhe kontratave hidroelektrike në katër vitet e fundit, do të mbështesë projektet e tubacioneve të gazit natyror.Varësia nga hidrocentralet në Shqipëri përbën 98 për qind të prodhimit të brendshëm të energjisë elektrike. Shqipëria ofron lehtësira, duke përfshirë përjashtimet nga taksat për aktivitetet e energjisë së pastër dhe një proces të shpejtë të marrjes së lejeve për të tërhequr investitorët. 10 licenca për energjinë e erës janë dhënë, me një kapacitet prej 1700 megavat, dhe 125 marrëveshje koncensionare që nga viti 2008, me një fuqi prej 1500 megavat”, shkruan në artikullin e saj revista “Bloomberg”. Në prononcimin e tij  për Bloomberg, zv.ministri Bozdo është shprehur se, duke pasur parasysh paparashikueshmërinë e kushteve klimatike, veçanërisht në dekadën e fundit si dhe çmimet e larta të naftës për shkak të paqëndrueshmërisë politike rajonale të vendeve prodhues, ka një nevojë të ngutshme për të diversifikuar burimet e energjisë elektrike, ndërkohë që prioriteti kryesor i qeverisë është siguria e furnizimit me energji elektrike. Në artikullin e saj, “Bloomberg” shkruan se Shqipëria do të nisë këtë muaj procesin e tenderimit për dy projekte të tjera hidrike, atë mbi lumin Drin dhe mbi lumin Vjosa, pas fillimit të procedurës të projektit mbi lumin Osum. Projektet e financuara nga investimet private kanë një kapacitet total rreth 900 megavat.
Ndërkaq, duke cituar zv.ministrin e METE, “Bloomberg” thekson se Shqipëria parashikon të prodhojë 39 për qind të energjisë së saj nga energjia e pastër në vitin 2012, nga 29.6 për qind që është kjo shifër tani.  “Vendi ka rritur lidhjet e brendshme dhe transmetimit dhe po zhvillon një linjë të re të transmetimit që lidh Shqipërinë me dy shtete, Maqedoninë dhe Italinë. Shqipëria ka plane për më shumë linja transmetimit”, shkruan revista. Sipas Bloomberg Shqipëria në vitin 2010 pati shkallën më të lartë të rritjes në Europën Juglindore, që sipas BERZH ishte e nxitur nga eksportet e energjisë.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›