Projektet, ministria pakt me Politeknikun
Një mundësi më shumë për të zgjeruar praktikën jashtë auditorëve në projekte konkrete. Këtë ka përcaktuar marrëveshja e bashkëpunimit e ditës së djeshme e nënshkruar mes Ministrisë së Energjetikës dhe Universitetit Politeknik në Tiranë. Përfaqësuesit e dy institucioneve, ministri Prifti dhe rektori Jorgaq Kaçani kanë shprehur gatishmërinë për një angazhim tepër serioz në këtë bashkëpunim institucional. Me marrëveshjen e djeshme dalin në pah një sërë qëllimesh praktike siç janë identifikimi dhe zbatimi i projekteve të përbashkëta që synojnë zhvillimin e sektorit publik dhe privat të ekonomisë duke forcuar lidhjet e Universitetit me veprimtaritë konkrete të ministrisë. Po kështu edhe identifikimi i problemeve me interes të ndërsjellët dhe gjetja e rrugëve për zgjidhjen e tyre mbetet një tjetër objektiv. Ministria e Ekonomisë dhe Universiteti Politeknik janë shprehur se përmes këtij bashkëpunimi synohet kontributi konkret në përmirësimin e veprimtarisë mësimore e shkencore dhe rritja e kulturës së bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe qarqeve akademike universitare. Në ceremoninë e nënshkrimit ministri i Energjetikës Dritan Prifti dhe rektori Jorgaq Kaçani kanë rënë dakord se "produkti" i dalë nga kjo marrëveshje do të shërbejë në zhvillimit teknologjik dhe shoqëror të vendit dhe veçanërisht të kryeqytetit duke mos përjashtuar këtu edhe integrimin ekonomik dhe politik të Shqipërisë drejt Evropës.