E Diel, 1 Nëntor 2026

“Tata”: Ne e mundim Dinamon

 Portieri veteran i Tiranës, Blendi Nallbani, tha dje se përballja me blutë duhet t’i shërbejë skuadrës për të bërë një hap të madh përpara, jo vetëm duke ngushtuar diferencën me pikë ndaj kryesuesve, por edhe për të treguar se kampionët nuk do të heqin dorë nga objektivi i tyre për titull deri në fund. “Ndeshja me Dinamon është shumë e vështirë, por besoj se e fitojmë ne, nisur jo vetëm nga plotësia e grupit, përgatitja e mirë fizike pas fazës përgatitore dimërore, por edhe dëshira jonë e madhe për ta thyer këtë herë Dinamon. Sigurisht që nuk është hakmarrje për humbjen e fazës së parë, por ambicie e grupit për të nisur me sukses vitin 2010 dhe për t’iu afruar kryesuesve sa më shumë në renditje. Unë kam besim të madh te trepikëshi, pasi shoh që kemi një skuadër në çdo pikëpamje më të përgatitur dhe kemi punuar shumë kohët e fundit. Më vjen mirë që në ekip kemi marrë edhe sulmuesin Sebino Plaku, i cili do të jetë një armë më tepër për ne në këtë sfidë. Kjo është një ndeshje me rëndësi për të ardhmen e kampionatit, prandaj është momenti që Tirana të tregojë vlerat e saj”, tha Nallbani. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›