E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helidon Haliti: Ju rrëfej botën time përrallore

 alma mileAi ndihet tërësisht i mbushur. U bënë 4-5 ditë që nuk hedh një penel mbi kanavacë dhe ka kaq shumë për të thënë... Helidon Haliti nuk mund ta kuptojë dot ditën pa pikturuar. Madje aq shumë është i lidhur pas saj saqë realja, irrealja, ëndrrat, mitet i bëhen një. Dhe me të drejtë krijon atë botën e tij përrallore. “Fabolous”, kështu titullohet ekspozita që Haliti prezantoi në Muzeun e Kosovës e që u mbyll vetëm pak ditë më parë. U prit aq mirë, sa ai nuk e kishte menduar. Kritikët thanë fjalët më të mira, ndërsa ekspozita e tij gjeti pasqyrim në gjithë shtypin e shkruar. Në një intervistë, piktori na tregon mbi këtë eksperiencë, mbi pikturën e botën e tij përrallore.Sapo është mbyllur në Muzeun e Kosovës një ekspozitë juaja, si e priti publiku kosovar pikturën tuaj?është një kënaqësi për mua që me gjallje të ekspozoj në Kosovën e pavarur dhe ky është një luks që ia quaj vetes. Mora një ftesë nga Muzeu i Kosovës. Ndonjëherë jehona është më e qartë se vetë zëri. Jehona ime në Kosovë ishte shumë e qartë dhe atyre iu duk intriguese që të bëja një ekspozitë atje. Organizimi i tyre ishte për të marrë shembull. Mikpritja më ka shokuar. Ata na e kalojnë në këtë pikë. Ushqim i plotë për artistin është kur bën një ekspozitë në një ambient që nuk është pjesë e konfliktit apo intrigave. Sa më larg, aq më të dashuruar dhe objektiv me njëri-tjetrin, kështu që nga kolegët atje mora mesazhe shumë të ngrohta. Punët me të cilat u paraqitët ishin krijuar enkas për Kosovën?Rreth 90% e kësaj ekspozite është e krijuar për Kosovën, për atë publik, për atë sallë. Punova muaj të tërë, duke rrezikuar shumë, sepse duhet thënë që ne jetojmë me këtë punë. Megjithatë ajo u prit shumë mirë. Mendoj që investimi që kam bërë është shumë frytdhënës, sepse më dha ide që këtë ekspozitë ta vijoj dhe më gjatë. Titulli që i kam vënë dhe që më pëlqen shumë, “Fabulous” mund të vazhdojë “Fabolous” Tirana, Shkupi, pse jo Athina, apo Beograd. çfarë ka përrallore në këtë cikël punësh?Përrallorja është mënyra ime e të menduarit dhe e jetesës, që në vetvete ka vetëm një sekret. Deri në vitin 2000 unë shihja ëndrra dhe nuk i deshifroja, ndërsa tani i paralelizoj ëndrrat me jetën dhe mundem që të shoh dhe të përditshmen dhe të deshifroj ëndrrat që shoh. Pra jam më i qartë në atë përralloren që më ndodh. Ekspozita ka një simbolikë më të thellë, pasi ka elementë të tillë, si varka, ku secili prej nesh ka atë odisenë e vet, ka elementin e shtëpisë, të kafshëve që janë ato që mbartin gjithë peshën e shqiptarit në këto 10 vitet e fundit dhe janë ato që kanë një pafajësi perfekte. Kështu që unë mendova të merrem patjetër me këtë pjesë dhe është një nga gjetjet e mia më të freskëta, pasi është një gërshetim i agresives me estetiken. Arti im ka qenë shumë i rëndë ca kohë, sepse arti patjetër do të thotë diçka dhe duke qenë komunikues, ka nevojë edhe të klithë, edhe të thërrasë, që t’u tërheqë vëmendjen njerëzve. Tani po bëhet më e butë, pasi ia kam arritur qëllimit, i kam tërhequr vëmendjen dhe tashmë po merrem më shumë me anën estetike.është më e thjesht të kumtosh përmes mitesh?është më e bukur të flasësh mes tyre. Arti po shkon drejt thjeshtësisë dhe kur e arrin ate, prek perfeksionin. Personalisht mendoj se perfektja është diçka që nuk arrihet, që nuk realizohet, që nuk mbaron kurrë. Pretendimi im nuk është që t’i bëj gjërat më thjesht, por të kuptohen më thjesht. Unë vuaj dhe mundohem kur i realizoj, por vuajtja ime duhet të shkojë ndryshe tek adhuruesi i pikturës. Duhet të jetë shqetësim i gërshetuar me kënaqësi, pra tematika, apo mjeti që unë përdor, duhet të jetë në funksion të estetikës. Shumë herë merremi me mënyrën e të pikturuarit, por ajo tashmë nuk ka më asnjë lloj vlere. Mjafton që diçka ta bësh mirë, pavarësish mjeteve që përdor.Piktura juaj është e pangatërrueshme për shkak të ngjyrave, si vijnë ato tek ju?Kjo do të thotë që kam arritur shumë, sepse këtë e thonë thuajse të gjithë ata që duan të blejnë pikturat e mia. Pavarësisht se ka shumë njerëz që quhen Helidon ka shumë pak që punojnë në këtë mënyrë. është shumë e vështirë të jesh vetëm, pasi vetmia në një farë mënyre të skllavëron, por është edhe kënaqësia e të qënurit një. Nëse ju e dalloni pikturën time menjëherë, kjo më bën të ndihem mirë. Sot nuk ka kritere në art. Unë kam studiuar mbi bazën e kritereve, kam konkurruar mbi bazën e tyre dhe ato do të më ndjekin gjithë jetën, por arti dhe pavdekësia nuk kanë kriter. Ke të drejtë të bëhesh i përjetshëm si mendon, por nuk ke të drejtë të vdesësh si ti mendon. Unë kam vendosur ta zgjedh pavdekësinë dhe kam vendosur të diktoj mënyrën e jetesës sime.Si vjen kjo ekspozitë në Kosovë, në karrierën tuaj?Vijova suksesin tim në Muzeun Mezuraj dhe përsosa elementet e mia, si shtëpia, ato kafshë që unë vizatoj në mënyrë krejt personale, simbolin e varkës dhe anijes, që na simbolizon ne shqiptarët që e kërkojmë gjetkë fatin tonë, pa e kuptuar që e kemi pranë, sepse toka është parajsa. Në Evropë arrihet nëse merr pjesën më kreative të vendit tënd dhe e shpërndan me durim grimca-grimca në vendet e tjera. Të çosh ato që atje mungojnë. Ka shumë vende të Ballkanit që mendojnë se ato janë të tyret, sepse bëjnë pjesë në kulturën e tyre. Kjo na jep të drejtën ne artistëve që t’i shfrytëzojmë ato dhe mua më jep mundësinë ta hap pikturën time në këto vende të rajonit. Ne kemi shumë gjëra që na bashkojnë, mes cilave dhe të metat tona. Arti është një lloj magjie që ne artistët mundohemi ta sofistikojmë, duke e veshur me kostume të llojeve të ndryshme. Ne themi që një artist duhet të ketë një kulturë të madhe që të pikturojë, duhet të jetë akademist, duhet ta mendojë pikturën.. Të gjitha këto e betonizojnë pikturën shqiptare. Dhe kjo ndodh sepse nuk ka elitë, e cila e drejton pikturën shqiptare. Këtu elitë nuk është as Akademia e Arteve, as Galeria e Arteve dhe asnjë muze privat. Elitë është vetëm mënyra e të menduarit. Unë kam zgjedhur rrugën e një naiviteti ekspresiv dhe të një vetmie me informacion indirekt. Unë mësoj nga ato që mungojnë dhe jo nga ato që mbizotërojnë. Kështu ka ndodhur edhe me piktorët më të mëdhenj, si Chagall, Gogen, Van Gog. Kjo ka ndodhur dhe me mua, që kam jetuar një periudhë të gjatë jashtë.Ju keni jetuar për një kohë të gjatë jashtë vendit, si po e përjetoni rikthimin?Jam shumë i qetë për rikthimin tim në Shqipëri dhe që dita t’i jap dhe të marr në mënyrë shumë mirënjohëse. Një nga dilemat tona kur u larguan ishte çfarë ka bërë Shqipëria për ne dhe çfarë kemi bërë ne për atë. Unë them se Shqipëria ka bërë shumë për mua, ajo që nuk bën për mua është mentaliteti i disa kritereve meskine që na skllavërojnë. Arti nuk ka kufi, nuk ka kriter. Nga dritarja e studios sime shihja rritjen e disa breza pëllumbash dhe shihja që pëllumbi i dobët hante më pak dhe nëna nuk e ndihmonte. Ky është paralelizmi që unë bëj me shtetin. Shteti shqiptar i ngjan asaj pëllumbeshës që nuk i ndihmon dot fëmijët e vet. Unë mendoj që bota e civilizuar  ka filozofinë më të zgjuar se një pëllumbeshë. Shteti duhet të krijojë një filozofi mes djallit dhe engjëllit. Por nuk flas vetëm për shtetin shqiptar, por për këdo tjetër. Tanimë nuk ka më kufij. Kur përmend Shqipërinë, kam ndërmend atë të fabulave. Unë u linda në një vend që është ai që është, me mitet dhe kulturën e vet, e cila përpiqet t’i bashkohet pjesës tjetër të Evropës, ndaj edhe unë nuk e ndaj. Për piktorin ka shumë rëndësi periudha kur u lind. Lum unë që u linda në periudhën e Kadaresë, Agollit, Arapit, apo Gazmend Lekës, Hasan Nallbanit, apo Edi Hilës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›