E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rimbursimi i barnave, miratimi shtyhet në mars

 zirina llambroLista e rimbursimit të barnave nuk ka asnjë shans të miratohet përpara muajit mars. Ky është afati më i afërt, ndërkohë që nëse nuk zgjidhet ngërçi me financat mund të shtyhet sërish. Burime nga Ministria e Shëndetësisë konfirmojnë për gazetën se pas "bllokimit" të skemës është diskutuar me ISKSH-në për të gjetur një zgjidhje. Në fillim të shkurtit pritet që të rimblidhet sërish komisioni hartimit dhe miratimit të listës, për të parë si mund të dilet nga situata pa cenuar pacientët. Ministria e Financave ka kërkuar reduktim të numrit të medikamenteve me  rimbursimi, për shkak të mungesës së fondeve. Kjo kërkesë ka vënë në vështirësi ministrinë, e cila nuk do të cungojë skemën aktuale. Nga ana e tyre grosistët e tregut farmaceutik kërcënojnë se do të ndërpresin furnizimin me barnat që do të rimbursohen, pasi zhvlerësimi i lekut kundrejt euros ka rritur çmimin e medikamenteve. Sipas tyre, përfituesit nuk mund të rriten këtë vit, pasi vetëm ndryshimi i kursit të euros e rrit faturën financiare me më shumë se 300 milionë lekë. Ndërkaq, dje Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka lidhur kontratat e reja me 590 farmaci dhe 160 agjenci farmaceutike në zona rurale. Po kështu janë lidhur kontrata me 43 depo importuese, si dhe 46 depo distributore në shkallë vendi. Për herë të parë këtë vit është shtuar një detyrim i ri për farmacitë. Barnat duhet të lëshohen vetëm me recetën e mjekut. "Kjo, edhe në rastet kur personi nuk i përfiton ato nga rimbursimi. Pika është shtuar në kontratë në mënyrë që të evitohet në maksimum fenomeni i shitjes së barnave pa recetë", u shpreh Drejtoresha e ISKSH-së Elvana Hana. Ajo sqaroi se një pikë tjetër e rëndësishme është se nuk do të ketë më limit financiar për shumën që rimbursohet nga farmacitë. ISKSH ka lidhur dhe 6 kontrata 3 palëshe ISKSH -QSUT- Depo Importuese, me qëllim realizimin e dhënies të disa barnave me kosto të lartë mjekimi pranë farmacisë së Qendrës Spitalore Universitare Tiranë. Janë përcaktuar gjithashtu edhe penalizimet që arrijnë për çdo shkelje, nga 200-600 lekë gjobë, deri në shkëputje të kontratës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›