Tafaj: Mastera dhe DND të reja për mësuesit
Riformulim i kurrikulave për një përgatitje më të mirë të mësuesve në universitet. Pos kësaj do përgatiten platforma të veçanta për mastera dhe DND në shkencat e edukimit. Për t'i realizuar të gjitha këto, dje Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj kërkoi bashkëpunim më të madh me Institutin e kurrikulës dhe trajnimit. "Instituti juaj është instituti i zhvillimit cilësor të shkollës dhe arsimit tonë. Rritja e cilësisë së shkollimit është sfida jonë më afatgjatë. Mësuesit e sotëm duhet ta ndjejnë ndihmesën e institucioneve të tilla, pasi në plan të parë del aftësimi", tha Tafaj. Ministri porositi pjesëtarët e institutit të jenë aktiv dhe kontribuues në reformën e altertekstit. Kjo reformë kërkon mbështetje në verifikimin e cilësisë së teksteve shkollore përpara se ata të hidhen në treg. Një nga prioritete në fjalën e ministrit ishte dhe qëndrimi që duhet të mbahet ndaj arsimit privat në vend. Deri tani, ai ka qenë i mbikëqyrur prej strukturave të shtetit ndërsa duhet që në të ardhmen edhe të mbështetet në përsosjen dhe zhvillimin e tij në të tërë komponentët përbërës për rritjen e cilësisë. Një tjetër prioritet që duhet të synojë edhe punën e këtij institucioni është edhe ai i përcjelljes së sa më shumë informacioneve që prodhohen aktualisht për nxënësin, shkollën dhe komunitetin.