Edmond Tupja, 23 vjet pranë një fëmije autik
Iu desh të japë mbi 180 autografe. Dhe të gjithë të ndryshëm, sipas energjisë që i përçohej në atë moment shtrëngimi duarsh, apo zgjatjeje libri. Dje, në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Edmond Tupja prezantoi librin e tij “Kur dhimbja premton dashuri - Të jetosh me një fëmijë autik”, botim i shtëpisë botuese “Ombra GVG”. Një eksperiencë e jetuar. Një libër i dhimbshëm e plot dashuri. Shumëkush që e ka lexuar, nuk ka mundur të mos drithërohet nga rrëfimi i një babai mbi jetën pranë një fëmijë, jo si gjithë të tjerët. Të një djali, tashmë 23 vjeç, i prekur nga autizmi. E ftuar në këtë promovim, Liri Berisha, Presidente e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë “Domenick Scaglione”, u shpreh se ajo, në pozicionin e mjekes pediatre, por edhe të një nëne, i detyrohet shumë të dy prindërve të Gesit, Edmondit dhe Xhildës për ditët e vështira që kanë kaluar, për durimin dhe dashurinë që i kanë dhënë këtij fëmije. “Libri “Kur dhimbja premton dashuri” nuk është vetëm një libër për djalin e me autizëm të Edmond Tupes, por për autizmin e shoqërisë shqiptare”, u shpreh Artan Hoxha, drejtor i Institutit të Studimeve Bashkëkohore. Sipas tij ky libër është pasqyrë e atyre problemeve, për të cilat nuk flitet e mbahen të fshehta, e që bëjnë që të mos kalosh përtej atij muri që krijon në zhvillimin mendor dhe perceptimin e botës prej fëmijëve që janë mbartës të saj. “Kur dhimbja premton dashuri - Të jetosh me një fëmijë autik”, është një libër i drejtpërdrejtë. Tupja rrëfen hapur këtë eksperiencë, të cilën nuk do të kishte dashur ta jetonte, por që e ka përballuar. Ai tregon dobësitë e tij, por edhe burimin e forcës për të pranuar fatin që i ishte caktuar djalit të tij, atij vetë e bashkëshortes. Kjo është arsyeja pse ky libër ka tërhequr vëmendjen e lexuesit, jo vetëm të atij që ndan të njëjtin short me të, por edhe të një lexuesi më të gjerë, i cili ka mundësi të kuptojë se ç’do të thotë të duash pa kushte dhe në çdo rrethanë. Të dhënaTitulli: “Kur dhimbja premton dashuri - Të jetosh me një fëmijë autik”Autori: Edmond TupjaShtëpisë botuese: “Ombra GVG”