E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjidhje për institucionet

Kriza e fundit politike ka risjellë edhe njëherë në qendër të debatit politik raportet kritike të partive politike si aktorë ndërmjetës në sistemin politik, me institucionet kushtetuese, si elementë thelbësore të sistemit dhe rendit kushtetues. Në rolin e tyre ndërmjetësues dhe përfaqësues, partitë politike janë shprehje e vullnetit politik të zgjedhësve, aktorë kryesorë të politikbërjes, ndikojnë në kulturën demokratike, promovimin e vlerave, propozimin e kandidatëve për zgjedhje dhe poste politike, nismat ligjore, etj. Aktiviteti bazë dhe qëllimi final i partive politike është fitorja në zgjedhje dhe përmes tyre, aplikimi i projektit të tyre politik në sistemin qeverisës. Në fazën paszgjedhore partitë ndahen në dy drejtime të ndryshme, disa në maxhorancë me detyrë qeverisjen politike të vendit dhe disa në opozitë, me detyrë korrektimin e qeverisë dhe përgatitjen për zgjedhjet e radhës. Në dallim nga modeli i funksionit të partive politike forma demokratike e qeverisjes ka krijuar modelin e institucioneve kushtetuese. Ato nuk marrin pjesë në zgjedhje, nuk zhvillojnë fushata, nuk janë produkt direkt i votës emocionale elektorale, nuk synojnë pushtet politik dhe si të tilla, ndryshe nga partitë, nuk shkrihen apo nuk krijohen jashtë kontekstit të përcaktuar Kushtetues. Në dallim nga partitë shumica e institucioneve kushtetuese nuk janë organe individuale, nuk kanë nevojë për lider apo lidership politik, nuk ndjejnë nevojën e mbështetjes militante dhe nuk e bazojnë punën e tyre në kuotat politike të ditës. Thënë më dallueshëm, partitë mendojnë për pushtetin, institucionet kushtetuese mendojnë, përbëjnë dhe përfaqësojnë shtetin. Ky raport klasik midis partive dhe institucioneve kushtetuese gjen shprehje në Kushtetutën e Shqipërisë dhe si i tille, qëndron edhe në themel të sistemit tonë politik e qeverisës. Në praktikë përvoja e vendeve në tranzicion, siç është Shqipëria, njeh modele të ndryshme të marrëdhënieve të brishta dhe deri edhe mbipushteti i theksuar ekstra - kushtetues i partive politike në raport me shtetin. Në princip dhe përvojë, sa më të larguara të jenë partitë nga aktiviteti ditor i organeve kushtetuese, aq më shumë forcohet parimi i shtetit të së drejtës, i ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Në realitetin shqiptar ecja ka qenë në kah të kundërt. Arsyeja duhet kërkuar thellë në histori. Shqipëria ka një mungesë të theksuar tradite në kufizimin e vullneteve individuale e partiake në raport me shtetin, si vullnet kolektiv dhe kombëtar. Në monarki, diktaturë apo tranzicion, sipas parimit apo mentaliteteve të modelit parti – shtet, ne jemi mësuar të kemi dominim të theksuar të jetës politike dhe vendimmarrjes shtetërore nga aktorët partiake. Janë partitë ato që krijojnë kriza, zgjidhin kriza, bëjnë kushtetuta, krijojnë sistemin politik, e ndryshojnë apo e rrëzojnë atë. Janë partitë që flasin në emër të qytetarëve dhe vetë qytetarët, në asnjë rast nuk kanë pasur mundësi të shprehen me votime direkt mbi politikat thelbësore të shtetit të tyre. Më 2010 asnjë institucion qendror (president, parlament, qeveri, prefekt, gjykata, prokurorë, etj) nuk dalin nga zgjedhje direkt, por përmes zgjedhjeve politike të partive në parlament. Kjo e bën edhe më të fortë ndikimin partiak, i cili shfaqet edhe në forma të tjera në dëm të ligjit, siç janë emërimet politike në administratë, ndarja partiake e raporteve në KQZ, bipolarizimi në KKRT apo organet drejtuese të TVSH, Bankës së Shqipërisë, deri edhe veto politike kundër gjyqtarëve të veçantë në votimet për Kolegjin Zgjedhor. Shqipëria është republikë parlamentare, ku parlamenti përbën qendrën e politikës, por realisht ai ka shërbyer më shumë si shtojcë e kryesive të partive politike. Që nga 1991 vendi ka kaluar në disa kriza politike dhe në çdo rast, zgjidhja nuk ka ardhur nga institucionet kushtetuese (parlamenti apo gjykata kushtetuese) po nga aktorë të tjerë (vetë partitë politike apo faktori ndërkombëtar). Si rrjedhojë, ne vijojmë të jemi ndër vendet e vetme të demokracisë parlamentare në të cilin asnjë kabinet qeveritar nuk është krijuar apo rrëzuar nga parlamenti; gjithçka është imponuar nga protestat e rrugës ose tryezat dypartiake. Forcimi i natyrës partiake të shtetit shkon në proporcion me dobësimin e natyrës kushtetuese të shtetit. Shembull unikal ishin ndryshimet kushtetuese 2008, të cilat me vullnetin e dy partive ndryshuan sistemin kushtetues, raportet ekzekutiv – legjislativ, dobësuan mandatin politik të presidentit. Ndryshimi u bë aq i shpejtë dhe apirori saqë nuk mori mendimin e asnjë institucioni kushtetues në vend, duke u mjaftuar me votat e shumicës së re parlamentare. Për rrjedhojë, konsensusi dypartiak solli ndryshime në bazat kushtetuese dhe në raportet midis pushteteve në sistemin qeverisës. Edhe Freedom House (SHBA) në raportin e vitit 2009 mbi Shqipërinë theksonte si shqetësim kryesor pushtetin e madh të partive politike në raport me shtetin dhe me shoqërinë. Tani mund të jetë koha për një ndryshim cilësor. Kriza e fundit politik nuk është krizë e prodhuar nga institucionet kushtetuese, por nga selitë e partive politike. Ato refuzuan zgjidhjen kushtetuese (ankesë në gjykatën kushtetuese, zbatim të Kodit Zgjedhor në KQZ, vendimmarrjes në Kolegjin Zgjedhor) dhe kërkuan zgjidhje ekstra kushtetuese me mjete politike (protesta në rrugë, refuzim të palës tjetër, presione joserioze mbi mandatet, statusin, imunitetin). Dy palët përjashtuan njëra tjetrën, refuzuan dialogun, injoruan institucionet dhe për pasojë, pas 6-7 muajve bllokim të sistemit qeverisës, nën presionin ndërkombëtar, dy palët janë rikthyer aty ku fare mire mund të ishin më 29 qershor 2009, në palë që pranojnë dialogun politik. Tani palët janë të detyruara të gjejnë një zgjidhje. Zgjidhja mund të vijë përmes tryezës politike të Presidentit, përmes investimit të Gjykatës Kushtetuese, përmes një nisme të përgjegjshme parlamentare ose përmes mekanizmave të tjerë me natyrë kushtetuese. Bazuar në praktikën tonë, ajo mund të vijë edhe nga mekanizma joinstitucionale, siç janë bisedimet e fshehta midis palëve kryesore, ndërmjetësimi i një aktori të tretë politik, presioni i rrugës, ultimatumi ndërkombëtar, shndërrimi i bisedimeve në pazar politik, presionit për përçarjen e palës tjetër, apo, në rastin më të keq, në mbajtjen gjallë të krizës në përpjekje për të nxjerrë prej saj sa më shumë përfitime politike. Në çdo rast zgjidhja do të vijë sepse palët do të jenë të detyruara të arrijnë zgjidhje. Ndaj, më me rëndësi se zgjidhja mendoj se ka vlerë forma kushtetuese sesi do të arrihet ajo. Fillimisht BE, OSBE dhe së fundi edhe Këshilli i Evropës kanë shprehur publikisht kërkesën e tyre që zgjidhja të vijë nga vetë institucionet shqiptare, duke i dhënë mbështetje institucionit të Kryetarit të Shtetit. Ne jemi një vend anëtar në NATO, që duam të anëtarësohemi në BE dhe për të qenë serioz, duhet të sillemi edhe në mënyrë serioze. Trajtimi e zgjidhja kushtetuese dhe institucionale e çdo mosmarrëveshjeje politike përbën kushtin minimal në këtë drejtim. Në thelb, nuk ka dhe nuk do të ketë rëndësi nëse në fazën e përpjekjeve për zgjidhjen e krizës politike do të ketë një apo me shumë fitues, nëse një palë fiton kredenciale politike e tjetra jo, nëse rezulton se një politikan provohet si njeri që mban premtimet ose jo, nëse sondazhet nxjerrin një palë më të fortë dhe një më të dobët. Ky aspekt është dytësor dhe vlen vetëm për politikën e kafeve. Primare mbetet synimi që zgjidhja të vijë nga institucionet kushtetuese, jo nga zyrat një apo dypartiake. Rëndësi themelore ka që sistemi politik të funksionojë, që institucionet kushtetuese të funksionojnë dhe që partitë e liderët e tyre, të pranojnë fushëveprimin brenda këtij kuadri politik e kushtetues. Pra, më me rëndësi është të provojmë se shteti funksionoi, se institucionet funksionojnë dhe se një marrëveshje me burim institucionet kushtetuese, sado problematike qoftë në përmbajtje, është shumë më e mirë dhe më afatgjatë sesa një marrëveshje që kënaq palët, por që skicohet e realizohet jashtë institucioneve politike kushtetuese. Mund të kemi drejtues institucionesh kushtetuese që nuk kanë aftësinë dhe besueshmërinë e duhur, mund të jenë individ të paragjykuar për formimin dhe bindjet e tyre politike, mund të jemi kritikë ndaj aktivitetit të tyre por në çdo rast, në një demokraci funksionale nuk janë individët që identifikohen me shtetin, janë institucionet që krijojnë e mbajnë në këmbë shtetin. Individët, pavarësisht bindjeve të hershme politike apo lidhjeve emocionale me palët politike, kur veprojnë brenda kuadrit e përgjegjësive kushtetuese, nuk janë më të tillë, janë shumë më stoike, më profesionalë, më të pavarur dhe më të besueshëm. Kështu ka ndodhur edhe me Gjykatën Kushtetuese, dy herë e përbërë nga shumica e një pale, por siç dëshmoi në rastet e fundit, është unanime kur bëhet fjalë për Kushtetutën dhe rendin kushtetues në vend. Kriza e fundit është provë për të gjithë, për të rikthyer edhe njëherë sytë nga shteti, nga institucionet, për të mbrojtur shtetin, parimet dhe normat kushtetuese nga presionet dhe orekset e shumëfishta të politikës së ditës. Eshtë një çështje që duhet të marrë përgjigje në institucione dhe prej të cilës, duhet të nxjerrim mësime, për një ndarje tërësore nga modeli i partisë apo partive – shtet, në favor të shtetit të së drejtës, duke i dhënë fund praktikës ekstra kushtetuese të aktivitetit të partive politike. Rikthimi në modelin e institucioneve zgjedhore jopartiake, departizimi i shtetit, ngushtimi i hapësirave për ndërhyrje në shtet të partive politike, ndalja e përpjekjeve që duan ta kthejnë shtetin në pronë të dy – tre individëve politikë, përbën më shumë se një sfidë, një nevojë dhe një parakusht për shtetin shqiptar evropian. Ne kemi nevojë për forcimin e shtetit dhe jo për forcimin e partive, sepse siç thotë një President jashtëpartiak, partitë shkojnë e vijnë, kurse shteti është një dhe mbetet një.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›