Volejboll, starton nesër Kupa e Shqipërisë
TIRANë- Nesër do të startojë Kupa e Shqipërisë në volejboll, turne që ndan praktikisht në mes kampionatin kombëtar. Në këtë veprimtari do të marrin pjesë 8 skuadrat më të mira në volejboll për meshkuj, ndërsa në volejboll për femra 7 skuadrat më të mira. Ekipet do të ndahen në dy grupe, në bazë të renditjes së fazës së parë të kampionatit. Skuadrat që renditen në vendet 1-4-5-8 në kampionat do të jenë në njërin grup dhe ekipet që renditen në vendet 2-3-6-7 do të jenë në grupin tjetër. Ndeshjet e femrave do të zhvillohen në datat 15, 16 dhe 17 shkurt në sallën sportive “Fahrie Hoti” për grupin A dhe në Rrëshen për grupin B. Takimet e meshkujve në datat 11,12 dhe 13 shkurt do të luhen në kryeqytet për grupin A (po në “Fahrie Hoti”) dhe në Durrës për grupin B. Dy ekipet e renditura të parat në grup do të shkojnë në gjysmëfinale, që për meshkuj do të zhvillohen më 19 shkurt dhe finalja një ditë më pas. Ndërsa gjysmëfinalet e femrave do të luhen më 22 shkurt dhe finalja më 23 shkurt. Ndarja e grupeve është bërë në bazë të renditjes së skuadrave në përfundim të fazës së parë, ndërkohë që aktualisht po luhen takimet e fazës së dytë të kampionatit, që nuk ndikojnë në kupë. Kjo veprimtari do të japë dhe kupën e dytë të sezonit, pas asaj të Kupës së Federatës dhe të parën për këtë vit. “Pritet të jetë një ngjarje e mbushur me shumë emocione dhe rivalitet, pasi janë disa skuadra, si te meshkujt, ashtu dhe te femrat, që synojnë ta fitojnë këtë turne”, tha sot sekretari i FSHV-së, Leonard Tase. (d.b/BalkanWeb)