E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti 1 miliardë euro i HEC-it të Devollit

Bëhet fjalë për hidrocentralin mbi lumin Devoll, një nga investimet më të mëdha austriake në Shqipëri. Projekti Devoll Hydropwer është një investim i përbashkët prej rreth 1 miliardë euro i dy kompanive të njohura evropiane në këtë fushë, kompanisë austriake EVN dhe asaj norvegjeze Statkraft dhe siguron një shfrytëzim afatgjatë të ujërave të lumit Devoll.

Kryeministri Berisha, ndërsa vlerësoi punën e deritanishme të dy kompanive për realizimin e këtij projekti madhor, tha se kaskada e Devollit përbën një hap të madh përpara në rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë hidrike dhe një përpjekje drejt zhvillimit të qëndrueshëm. Austria, - tha Kryeministri - qëndron në krye të përpjekjeve, për ta kthyer Shqipërinë në një prodhues të rëndësishëm të energjisë hidrike. Në takim u vlerësua se marrëdhëniet ekonomike midis Shqipërisë dhe Austrisë janë në rritje, duke sjellë në vëmendje se eksportet austriake në Shqipëri u rritën me 23 për qind në vitin 2011 dhe volumi tregtar midis dy vendeve arriti në vlerën e 100 milionë eurove, pavarësisht vështirësive, me të cilat po përballet ekonomia në Evropë.

Përfaqësuesit e biznesit austriak shprehën kënaqësinë që Austria është gjithashtu investitori më i madh në Shqipëri, ndërsa bënë të ditur se ata po shohim mundësi të reja për zhvillimin e projekte të tjera të mëdha këtu. Berisha garantoi se qeveria shqiptare mbetet e përkushtuar për të lehtësuar barrën fiskale, për të ndërtuar infrastrukturën më të mirë dhe më pak burokratike, për të mbështetur e stimuluar biznesin dhe investimet, si përgjigja më e mirë ndaj krizës ekonomike botërore. I pranishëm në mëngjesin e punës, ambasadori austriak në Shqipëri, zoti Florian Rauning tha se Austria beson tek Shqipëria, ndaj edhe ka një prezencë të tillë të biznesit austriak në këtë vend. /Start/

                                                                                             2012-06-12 12:58
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›