Ndërtimi, bizneset italiane të interesuara të investojnë në Shqipëri
Sipërmarrës të ndryshëm italianë janë të interesuar për të investuar në sektorët më kyç të ekonomisë së vendit, duke synuar sidomos në sektorin e ndërtimit. Kjo gjë është shprehur nga biznesmenët dhe investitorët italianë, që morën pjesë dje në konferencën ndërkombëtare për ndërtimin, shprehën interes për zgjerimin e bashkëpunimit dhe të investimeve në sektorët e ndërtimit dhe infrastrukturës në Shqipëri.
Gjatë punimeve të konferencës, biznesmenët italianë prezantuan punën dhe projektet e tyre që zhvillojnë në vendin tonë dhe shprehen gatishmërinë për të vazhduar investimet në sektorë strategjikë me interes reciprok, si rehabilitimi i infrastrukturës rrugore, ujësjellës-kanalizimet etj. Në konferencën ndërkombëtare për ndërtimin morën pjesë biznesmenë dhe investitorë italianë, që operojnë në sektorin e ndërtimit. Për herë të parë morën pjesë dhe përfaqësues nga kompanitë "Campana", "System Group", "Mezzanoti", dhe "AERRE s.r.l", të cilat zhvillojnë aktivitetin e tyre disa vjeçar në Itali në fushën e riciklimit të mbetjeve urbane, ujësjellës-kanalizimit, sinjalistikës, ndërtimit, etj, dhe që e shohin me interes tregun shqiptar për të investuar. Përfaqësuesi i kompanisë "Campana", Massimo Campana, duke prezantuar profilin e kompanisë së tij, vlerësoi Shqipërinë si një treg të sigurt dhe të përshtatshëm për zgjerimin e investimeve në sektorin e ndërtimit të infrastrukturës rrugore. “Aktulisht, - tha Campana, - Shqipëria është në një stad, ku ndërtimi dhe infrastruktura po zhvillohen me shpejtësi, ndaj në këtë kontekst ne po studiojmë tregun për të realizuar objektivin tonë, të investimit në Shqipëri”. Ndërsa, Franko Pinoli, administrator i kompanisë "AERRE s.r.l", prezantoi teknologjitë moderne në sistemin e ndërtim asfaltimit, të cilat përmirësojnë cilësinë e materialeve që përdoren për asfaltimin e rrugëve. Për të bërë prezent objektivat dhe interesin e tyre, për të investuar në Shqipëri, një grup i biznesmenëve italianë do të zhvillojë sot dhe një takim me përfaqësues të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
12 Prill 2008