E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti ambicioz i Papandreut

Projekti i ri i kryeministrit të Greqisë, Jorgos Papandreu, që Bashkimi Europian të anëtarësojë të gjithë shtetet e Ballkanit deri në vitin 2014, viti i 100-vjetorit të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, është shndërruar në kalin e betejës për diplomacinë greke. Falë këtij aktivizimi grek, "Axhenda 2014" ka hyrë në çështjet e tematikës ballkanike të diplomacisë së Bashkimit Europian. Simbolika e qëlluar e përkujtimit me një integrim global europian të 100-vjetorit të shpërthimit të apokalipsit të parë botëror të urrejtjes, padyshim krijon një klimë psikologjike europiane të përshtatshme për ecurinë e këtij propozimi. Greqia do të ketë presidencën e BE-së më 2014-ën dhe realizimi i kësaj nisme do të ishte një arritje e madhe e diplomacisë greke dhe e peshës së saj në rajon. Për startin pozitiv flet edhe fakti se Austria u bashkua me Greqinë në një nismë të përbashkët për të promovuar përfshirjen e Ballkanit në BE. Më 21 janar në Athinë, të dy ministrat e Jashtëm njoftuan dhe dërgimin e një letre të përbashkët të tyre drejtuar të gjithë ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së, pikërisht për t'i nxitur ata në ritmet e procesit të integrimit europian të shteteve ballkanike. Projekti i kryeministrit grek është i mirëpritur në Ballkan dhe përbën një mbështetje të madhe për aspiratat e popujve të të gjithë atyre shteteve, të cilat ende nuk janë bashkuar me organizatën e Bashkimit Europian. është një projekt ambicioz, i cili ambicien e shfaq sidomos tek afati që ka shpallur, pra viti 2014. Pas entuziazmit që shkakton te shtetet ballkanike aspirante një objektiv i anëtarësimit global, natyrisht përballesh me hapin e parë të reflektimit serioz, që kërkon analizën e mundësive dhe shanseve konkrete, që ka arritja e kësaj date të dëshiruar. Në radhë të parë, ende nuk është formuluar qartë dhe publikisht nga hartuesit e këtij projekti, pra nga diplomacia greke, se çfarë përfshijnë ata në termin "Ballkan", kur flasin lidhur me anëtarësimin në BE deri në vitin 2014. Po të ndjekësh me vëmendje fjalimet dhe prononcimet e zyrtarëve të lartë të diplomacisë greke, konstaton se herë flitet për Ballkan në tërësi, e herë flitet për Ballkan Perëndimor. Asnjëherë nuk bëhet një listë e plotë e shteteve, për të cilat diplomacia greke gjykon se duhet të hyjnë në BE deri në atë datë. Nuk është ende e qartë nëse në Athinë nënkuptojnë në këtë projekt edhe Turqinë, e cila nuk bën pjesë në Ballkanin Perëndimor, dhe është një shtet kandidat dhe ka filluar bisedimet e pranimit me BE-në. Nuk është ende e qartë nëse në Athinë nënkuptojnë dhe Kosovën, e cila është shteti më i ri i Ballkanit Perëndimor që aspiron të anëtarësohet në BE, por të cilin Greqia ende nuk e ka njohur si shtet. Kuptohet se pa përfshirjen e Turqisë dhe të Kosovës në këtë projekt, vetë "Axhenda 2014" do të humbiste karakterin ambicioz dhe vlerën e saj. Deri tek realizimi i objektivit të anëtarësimit të të gjithë shteteve ballkanike në BE deri në vitin 2014, pengesat që duhet të kapërcejë diplomacia greke nuk janë të vogla dhe as të lehta, por janë të tilla që kërkojnë edhe kohë, edhe përpjekje shumë të mëdha që të zgjidhen, nga Greqia dhe nga vetë BE. Problemi i parë i mprehtë janë marrëdhëniet e Greqisë me Maqedoninë dhe konflikti i tyre 19-vjeçar lidhur me emrin. Për shkak të mosarritjes së një kompromisi mes dy vendeve, Greqia ka bllokuar procesin e integrimit të Maqedonisë në BE, duke mos lejuar mundësinë, që Shkupit t'i akordohet një datë nga BE për hapjen e bisedimeve të pranimit. Nëse tratativat për emrin mes Athinës dhe Shkupit do të ndjekin ritmet e deritanishme, kuptohet se objektivi i vitit 2014 do të kërkojë trefishin e kohës së planifikuar për "Axhendën 2014". Konflikti për emrin nuk është aq i lehtë sa mendohet në disa qarqe diplomatike, dhe ka mbetur në vendnumëro, me gjithë angazhimet diplomatike të qarqeve europiane dhe atlantike. Por, te 2014-ta nuk mund të shkohet pa Shkupin. Problemi i dytë i mprehtë është ai i Kosovës. Kosova kërkon dhe ka të drejtën të kërkojë, si të gjithë shtetet e tjera ballkanike, të integrohet në BE dhe në NATO. Greqia nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe as ka vendosur marrëdhënie diplomatike. Por "Axhenda 2014" nuk do të ishte axhendë rajonale, nëse asaj do t'i mungojë shteti i Kosovës. Objektivi i diplomacisë greke është që i gjithë Ballkani ta shohë veten anëtar i BE-së deri më 2014-ën, dhe kjo do të thotë se nuk mundet që Kosova të lihet si gropa e zezë e mungesës europiane në rajon. Problemi i tretë i mprehtë është Serbia. Sado të ngushta të jenë marrëdhëniet mes Greqisë dhe Serbisë, fakti është se për pranimin e anëtarëve të rij në organizatë kërkohet konsensusi dhe vota e të gjithë shteteve anëtare të BE. Një nga kriteret bazë të anëtarësimit janë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë të shtetit, që do të hyjë, me shtetet fqinj të tij, si dhe zgjidhja e çdo lloj konflikti dhe grindje. Disa shtete të rëndësishme ia kanë bërë të qartë Serbisë se ajo nuk mund të pranohet në BE, pa pranuar realitetin e ri të rajonit dhe pa njohur shtetin e Kosovës. Beogradi zyrtar deri tani i përmbahet qëndrimit se nuk do ta njohë kurrë shtetin e Kosovës. Por ai nuk mund të hyjë pa njohur Kosovën. Kështu që Athinës i duhet të gjejë mënyrat dhe forcat për t'i bërë presione të mëdha shtetit ballkanik, me të cilin ka marrëdhënie të posaçme, që të ndryshojë qëndrim për Kosovën, sepse dështimi i kësaj përçapjeje do të çonte në dështimin e vetë "Axhendës 2014". Problemi i katërt shumë i mprehtë është Bosnjë-Hercegovina. Për shkak të politikës sabotuese të ndjekur nga e ashtuquajtura serpska republika, e cila mbështetet në këtë linjë nga Serbia, shteti i Bosnjë-Hercegovinës paraqet sot vatrën më të paqëndrueshme dhe burimin e rrezikshëm të një konflikti në Europë. Kemi një shtet disfunksional, të cilit i duhet shumë kohë, mund dhe ndihmë ndërkombëtare, që të fitojë funksionimin e tij normal si shtet unik, me Kushtetutë dhe institucione të centralizuara dhe të pranuara nga të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia etnike. Kjo situatë konflikti të ngrirë brenda në Bosnjë-Hercegovinë vendos para diplomacisë greke një detyrë shumë të madhe dhe tepër të vështirë, nëse kërkon suksesin e "Axhendës 2014". Sepse në angazhimet dhe përpjekjet për të bindur serbët e Bosnjës të heqin dorë nga separatizmi dhe të ndjekin rrugën demokratike të bashkëjetesës paqësore me etnitë e tjera në një shtet të përbashkët demokratik, nuk kanë pasur suksesin e dëshiruar as presidenca suedeze dhe as vetë Bashkimi Europian. Bosnja duhet të bëhet shtet funksional, para se të bëhet anëtar i BE-së. Problemi i pestë i mprehtë është vetë Bashkimi Europian. Brenda BE-së ka shtete, të cilat janë alergjike ndaj zgjerimit të organizatës dhe jo vetëm i kanë ngritur stekat e kritereve dhe të kushteve, por kanë rritur gjithashtu intransigjencën ndaj anëtarëve të rij të mundshëm. Hija e të ashtuquajturit kapacitet thithës, që do të thotë se pavarësisht se vendet kandidate plotësojnë kushtet, vetë BE duhet të ketë plotësuar "kapacitetin thithës" të saj për anëtarë të rij, qëndron si një tra i madh, me të cilin duhet të merret diplomacia greke për të hapur rrugën e "Axhendës 2014". Edhe fakti që shtetet më të rëndësishme vendimmarrëse të BE nuk janë prononcuar për projektin 2014 të Greqisë, është një shenjë e përmbajtjes që karakterizon qarqet kryesore të BE-së. Kryeministri i Spanjës, Jose Luis Zapatero, vendi që ka presidencën e BE-së, deklaroi me 21 janar se i duhet kushtuar vëmendje nismës së Greqisë, po nuk e përmendi datën 2014. Deri tani, vetëm Bullgaria dhe Lituania kanë deklaruar në mënyre eksplicite mbështetjen për projektin grek të vitit 2014. Madje edhe ministri i Jashtëm i Austrisë, e cila u bashkua me nismën greke, në konferencën e përbashkët të shtypit me homologun e tij grek nuk e përmendi fare vitin 2014, megjithëse D. Drusas i mëshoi disa herë kësaj date. Në fakt austriaku e kishte të vështirë, sepse vetëm katër ditë më parë ai kishte deklaruar se Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Shqipëria do të jenë anëtare të BE-së në vitin 2020. Projekti ambicioz i kryeministrit Papandreu është një zhvillim pozitiv diplomatik në rajon dhe në marrëdhëniet e rajonit me BE-në. Në fund të fundit, edhe nëse nuk do të arrijë finishin 2014 për integrimin e plotë të Ballkanit në BE, kjo nismë do t'i japë një shtytje të fuqishme procesit të integrimit të rajonit në BE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›