Rruga e Kalasë, do të kalojnë vetëm këmbësorët dhe biçikletat
Pas shumë diskutimeve për rrugën ku u zbuluan rrënojat e vjetra të kalasë së Tiranës, Bashkia vendosi që të transformojë projektin për këtë pjesë. Rruga “Murat Toptani” ose ndryshe rruga në krahë të kalasë së Tiranës, do të jetë vetëm pedonale ose për këmbësorët. Pas konsultimeve me ekspertë ndërkombëtarë është përzgjedhur projekt-ideja, e cila ka pasur si prioritet ruajtjen e vlerave kulturore të zbuluara në këtë segment gjatë punimeve për Unazën e Vogël. Unaza e Vogël, tashmë ndryshon gjurmët e saj pasi nuk kalon më në rrugën pranë kalasë, por tek ura e re e rrugës “4 Dëshmorët”, duke vijuar në parkun e Namzgjasë tek Rruga e Barrikadave e në vazhdim. Kryetari i Bashkisë së Tiranës prezantoi projektin e ri për këtë pjesë dhe kërkoi shpronësimin e pronarëve si komponent i rëndësishëm për ndërtimin e Unazës se Vogël. Projekti për zhvillim të qëndrueshëm dhe të integruar të trashëgimisë kulturore dhe historike të Tiranës u mbështet nga Komisioni Europian, i cili mundësoi kontraktimin me ekspertë ndërkombëtarë. Gjithçka u zgjidh në formë të tillë për të mos u prekur rrënojat e kalasë që tregojnë vlerat kulturore dhe trashëgiminë e vjetër të qytetit të Tiranës.
1 Tetor 2008