E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpronësimet dhe privatizimet, odiseja e gjatë nga vitit 1944 deri në vitin 2010



Që në vitet 1944-1946, diktatura komuniste filloi fushatat e konsolidimit të tokave private bujqësore në kooperativa dhe ferma shtetërore, si dhe shpronësimin e pronave të tjera private për qëllime shtetërore. Këto fushata kulmuan me Kushtetutën e vitit 1976, e cila i deklaroi të gjitha pronat si pronë shtetërore. Me përmbysjen e komunizmit në vitin 1991 filloi “jeta e re” e pronës private. Procesi i privatizimit filloi dhe vazhdoi me shpejtësi me kalimin e disa ligjeve esenciale, sikur ishin: Ligji Nr. 7501, “Për Tokën”, Ligji Nr. 7652, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, Ligji Nr. 7698, “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve”dhe Ligji Nr. 7699, “Për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve të tokës bujqësore”. Në vitin 1994, u aprovua “Akti i Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, i cili krijonte një sistem të hollësishëm regjistrimi.

Privatizimet e tokave dhe banesave

Në kohen kur filloi procesi i privatizimit, në Shqipëri kishte 420 kooperativa. Pas procesit, pronat e këtyre kooperativave u shpërndanë te 383.600 familje fshatare. Në vitin 1991, Qeveria Shqiptare bëri hapat e para drejt krijimit të një ekonomie tregu, duke aprovuar Ligjin Nr. 7501, “Për Tokën”, i datës 19.07.1991. Në vitin 1992, qeveria ndërmori hapin tjetër në drejtim të privatizimit duke kaluar dhe miratuar në Parlament Ligjin Nr. 7652, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, të datës 23.12.1992. Banesat shtetërore kryesisht përbeheshin nga dy ose tre dhoma në godina me shumë apartamente. Të gjithë banorët të cilët kishin mbushur 18 vjeç deri në 1 dhjetor 1992, dhe të cilët ishin të regjistruar në regjistrin e gjendjes civile ishin të ligjshëm për t’u bërë bashkëpronarë. Dokumentet u përdorën nga ZRPP për të kompletuar regjistrimin e parë dhe ruhen në arkivat e ZRPP-ve. Regjistrimi i parë i këtyre pronave është kryer plotësisht në të gjithë vendin dhe në përgjithësi ata janë ndër pronësitë më të sigurta.

Kthimi dhe kompensimi i pronave

Në vitin 1993, u aprovuan dy ligje për kthimin dhe kompensimin, që lejonin kthimin e pronave urbane. Aspekti me i rëndësishëm i këtyre ligjeve, është se ata bëjnë fjalë për token urbane ose “token brenda vijës se verdhe” të shpronësuar pas 29 nëntorit 1944. Gjithsesi, si pasojë e privatizimit të tokës bujqësore me Ligjin Nr. 7501, toka bujqësore nuk i kthehet ish pronarëve por bëhet kompensimi i tyre. Megjithëse ka pasur emra dhe forma të ndryshme të autoriteteve të kthimit/kompensimit të pronave, vendimet e kthimit të përcaktuara nga ligje të ndryshme janë përdorur nga ZRPP-të për procesin e Regjistrimit të Parë.

Sistemi i Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme

Ndërsa procesi i privatizimit ecte përpara në fillimet e viteve 1990, përfaqësues të ndryshëm të ministrive, agjencive dhe ndërmarrjeve (Grupi Ndërministerial i Punës për Tregun e Tokës) konkludoi që një sistem i integruar i regjistrimit të pasurisë së paluajtshme do t’i shërbente më mirë Shqipërisë. Me asistencën teknike dhe financimet e USAID, Bankës Botërore dhe Bashkimit Evropian, Sistemi i Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (IPRS) u krijua në vitin 1994 në zbatim të Ligjit Nr. 7843 “Për regjistrimin e Pasurive te Paluajtshme”, i datës 13.07.1994. Në krijimin e ZRPP-së në Shqipëri, u patën parasysh principe bazë si: parcela, pasuria (jo thjesht regjistrimi i akteve), ku përfshihen të gjitha pasuritë publike dhe private; unifikimi i kadastrës dhe hipotekës në një institucion.

Pronat dhe kartelat

Çdo pronë ka një kartelë që tregon emrin e pronarit, tipin e pronësisë, vendndodhjen fizike dhe madhësinë e pronës. Ajo tregon gjithashtu çdo ngarkesë ose kufizim ne transferimin e pronës si p. sh.:, të drejtën e përdorimit të tokës nga të tjerët, hipotekimin, dhënien me qira ose problemet gjyqësore. Çdo pronë, pavarësisht nëse është një parcelë apo ndërtesë, ka një numër unik identifikimi i cili referohet në kartelë dhe në Hartën Treguese të Regjistrimit (HTR). Shqipëria ka më shumë se 4.5 milion prona të ndara në 36 rrethe dhe rreth 3000 zona kadastrale. Çdo rreth ka një Zyrë Regjistrimi të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP) dhe një Regjistrues i cili mbikëqyr regjistrin për zonën e tij. Zyra Qendrore e Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP) drejtohet nga Kryeregjistruesi i cili emërohet nga Ministri i Drejtësisë.

Regjistrimi i parë sistematik

Regjistrimi i pare sistematik është procesi i regjistrimit ligjor të pronës në ZRPP. Ajo përfshin krijimin e HTR dhe plotësimin e një kartele për çdo pronë, me një proces afishimi publik për 45 dite duke tentuar të përdoret si një proces i gjykimit publik. Regjistrimi i parë Sistematik filloi në zonat rurale në vitin 1995, dhe 80 për qind e zonave kryesore bujqësore u kompletuan ne viti 2001. Regjistrimi i zonave urbane ishte më i ngadalte dhe deri më sot vetëm 25 për qind nga zonat urbane kadastrale kanë kompletuar procesin e Regjistrimit të Parë. Baza e këtij sistemi krijohet nëpërmjet procedurës së Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme nën drejtimin e Kryeregjistruesit të Shqipërisë.

Tabela/////////////////////////
Pse u zgjodh Sistemi i Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme

1. Mbron të drejtat e pronarëve duke u dhënë certifikata pronësie dhe certifikata të tjera për interesa të tjera reale

2. Është i thjeshtë dhe i pakushtueshëm për tu administruar dhe ruajtur

3. Është i hapur, i jep informacion publikut për çdo pasuri. ky informacion shërben për shitjet, blerjet, qiratë, hipotekimet, etj. duke krijuar bazat e një ekonomie të orientuar drejt tregut

4. Lejon ndërtimin e një sistemi informacioni gjeografik me informacionin mbi pasurinë si pjesë

Parimet bazë të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme

1. Parimi “pasqyrë”.
Do të thotë që informacioni për pasuritë e paluajtshme duhet të jetë një pasqyrim i asaj që ekziston në realitet

2. Parimi “perde”.
Do të thotë që në kartelat dhe hartat treguese të pasurive të jetë dhënë informacion i plotë për pronësinë dhe të drejta të tjera reale që nuk duan verifikime të mëtejshme

3. Parimi i “sigurisë”.
Do të thotë që shteti garanton se informacioni në kartela është i saktë dhe për demin që mund ti shkaktohet dikujt nga informacioni i pasaktë në SRPP ai/ajo kompensohet nga shteti

4. Parimi “i hapur”.
Do të thotë që çdo subjekt mund marrë informacion pavarësisht ku banon dhe për cilën pasuri interesohet.

15 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›