E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti i Jalës, Bode: “Po nuk deshi BB-ja, e bën qeveria”



Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka deklaruar dje se qeveria është e gatshme të financojë vetë projektin turistik të Jalës nëse Banka Botërore kundërshton vazhdimin e saj pas skandalit të prishjes së disa ndërtimeve të banorëve. “Nëse BB-ja do të kërkojë zgjatje kohe të paarsyeshme për të mbajtur qëndrimin e saj në raport me projektin, qeveria shqiptare është e gatshme të shtojë fondet e veta për ta bërë funksional projektin”, - ka deklaruar ministri i Financave, Bode. Duke u ndalur në disa prej detajeve të projektit, Bode tha se i gjithë projekti është 17.5 milionë euro, ndërsa pjesa e Bankës është shumë pak. Ai tha se projekti ka shtatë komponentë, njëri prej tyre ka qenë ai i planifikimit të territorit ndërsa komponentët e tjerë përfshijnë Portin e Himarës, zonën e Orikumit, infrastrukturën rrugore të fshatrave, furnizimin me ujë të pijshëm, kolektorin e ujërave të ndotura, etj. "Më shumë se gjysma janë disbursuar, një pjesë janë të akorduara për këtë vit dhe, nëse do të vijohet në mënyrë normale, fondet ekzistojnë që të shpenzohen, por sidoqoftë ne kërkojmë të mos ndërpritet dhe që donatorët e tjerë të gjejnë fondet e tyre të realizuara sipas projektit", - tha Bode. ”Drejtori i Përgjithshëm, Presidenti i Bankës Botërore, ka kërkuar në rezervë që të konfrontojë situatën dhe të vendoset t’i lihet kompetencë Presidentit të Bankës Botërore për të vendosur. Është një rast unikal që shtrohet për diskutim në nivele të tilla, pasi projekti ka një vlerë qesharake. Megjithatë, ne jemi të vendosur të vazhdojmë projektin pasi projekti është konsideruar edhe nga vetë Banka shumë i suksesshëm për zhvillimin e integruar të bregdetit shqiptar”, - tha Bode. Ministri kërkoi që BB-ja të deklarojë qëndrimin e saj, pasi në projekt janë përfshirë edhe donatorë të tjerë. “Nëse banka do të kërkojë zgjatje kohe të paarsyeshme, qeveria shqiptare është e gatshme ta shpëtojë atë me fondet e veta”. Qeveria shqiptare, përmes një letre të Guvernatorit të saj drejtuar Panelit të Inspektimit si dhe Menaxhimit të BB-së, ka kërkuar konfrontimin e fakteve, dokumenteve dhe konsideratave jokorrekte të raportit të inspektimit. Bode u shpreh: “Plani i njollave ndërtimore, i vendosur nga qeveria e mëparshme, përpiqet t’i atribuohet qeverisë aktuale. Plani i miratuar përfundimisht dhe i hedhur për zbatim nuk përcakton njolla, madje i heq të gjitha njollat ndërtimore të vendosura në projektin e vitit 2005 nga qeveria e mëparshme". Sipas tij, ky ka qenë dhe elementi që ka prekur interesa të caktuara me Shqipërinë dhe që ka ndërhyrë në përgatitjen ose në tentativat për të mbrojtur vendosjen e njollave në këtë zonë ndërtimore. Por, sipas tij, kjo nuk do të thotë që Banka ka dhënë urdhrin për prishjen e ndërtimeve pa leje, por që absolutisht ka qenë një proces i konsideruar prej saj. Në këtë kuadër, Bode tha se prishja e ndërtimeve pa leje është pjesë e detyrimit të qeverisë, e cila duhet të zbatojë në mënyrë rigoroze ligjin, ndërsa shtoi se ndërtimet pa leje janë prishur jo vetëm në zonën e mbuluar nga projekti i BB -së, por në të gjithë bregdetin shqiptar, nga Durrësi në Velipojë.

28 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›