E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Komision qytetar për depozitimin



Lëvizja Socialiste për Integrim ka shpallur krijimin e një komisioni qytetar, në të cilin do të grumbullohen të gjitha faturat abuzuese të energjisë elektrike. Nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra, tha se LSI-ja është shumë e shqetësuar për vjedhjen masive që po u bëhet shqiptarëve me faturat e energjisë elektrike. Kodra tha se komisioni qytetar që do të krijohet nga LSI-ja do të grumbullojë këto fatura, të cilat do të dërgohen më pas në Prokurori. “Prej kohësh qytetarët shqiptarë po përballen, përveçse me varfërinë, edhe me vjedhjen sistematike dhe të hapur nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë. Kjo vjedhje masive e xhepave të shqiptarëve është pranuar nga vetë OST-ja, por ky konstatim nuk ka sjellë asnjë ndryshim në vjedhjen masive të qytetarëve të ndershëm që paguajnë faturat vazhdon. Kjo situatë skandaloze ka vetëm një përgjigje: fillimin e hetimit nga Prokuroria për këtë shpërdorim detyre të hapur dhe publike, ku dëshmitarë janë të gjithë shqiptarët. LSI-ja u bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të denoncojnë në Prokurori faturat hajdute të energjisë elektrike dhe të kërkojnë dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga qeveria. LSI-ja do të ngrejë një komision qytetar për të verifikuar dhe asistuar qytetarët, të cilët do t’i drejtohen Prokurorisë”, - tha Kodra.

28 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›