Gjoni: “Skandali i Jalës, Berisha turpëroi Shqipërinë”
Partia Socialiste akuzon kryeministrin Berisha se ai dhe familja e tij, me skandalin e shkaktuar në Jalë, përveçse dëmtuan ekonomikisht vendin, turpëruan Shqipërinë në sytë e ndërkombëtarëve. Anëtari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Ilir Gjoni, tha se kryeministri Berisha duhet të heqë dorë nga zakoni i tij i vjetër për t’u përplasur me institucionet vendase apo të huaja, të cilat thonë të vërtetën. “Është fatkeqësi e madhe që Sali Berisha dhe oborrtarët e tij vazhdojnë avazin e vjetër të luftës me çdo institucion vendas e të huaj që u thotë të vërtetën. Banka Botërore ka folur qartë dhe ka treguar me transparencë pse e si është krijuar skandali i Jalës, për të cilin përgjegjësia kryesore bie mbi qeverinë e mbi koordinatorin i projektit, që është dhëndri i Berishës. Ministrit Bode duhet të ndihet në turp që njëherë thotë një gjë e njëherë një tjetër vetëm për të fshehur atë që duket qartë dhe që është dështimi i një projekti, i cili nga një kombëtar u kthye në një projekt familjar me dëm ekonomik e moral për Shqipërinë. I kërkojmë ndjesë Bankës Botërore për qëndrimet e papërgjegjshme të qeverisë shqiptare lidhur me projektin dhe me vetë Bankën Botërore”, - tha Gjoni.
28 Shkurt 2009