E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura shtetërore 2009, AVA mbledh të dhënat e nxënësve



Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve (AVA), në kuadër të përgatitjeve për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2009, po punon aktualisht për mbledhjen e informacionit për të gjithë maturantët. Drejtori i AVA-s, Edmond Lulja, deklaroi se tashmë formularët A1, A1z i janë dërguar Komisioneve të Maturës Shtetërore e Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore. Këta formularë përmbajnë të dhënat e nxënësit dhe kërkesat e tij për provimet e lëndëve me zgjedhje, udhëzuesit për plotësimin e tyre dhe modelin për tabelën “T” për përmbledhjen e të dhënave që do të merren nga formularët. Këto të dhëna, po i kalojnë Komisionit Shkollor të Maturës Shtetërore (përbërja e tij u miratua nga Komisioni i Maturës pranë DAR-it dhe ZA-së), i cili ka afishuar në mjediset e shkollës të gjitha dokumentet dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e provimeve të Maturës. “Edhe Komisioni Shkollor i Maturës Shtetërore (KSHMSH) i ka pajisur nxënësit me formularë dhe po i sqaron maturantët për plotësimin e tyre”,- theksoi Lulja. Sipas tij, nga informacionet paraprake mendohet se në Maturën Shtetërore 2009 do të marrin pjesë mbi 30 mijë maturantë në provimet e detyruara. Sipas rregullores së maturës, çdo maturant duhet të plotësojë dhe dorëzojë formularin A1 dhe A1z në KSHMSH-në e shkollës ku ai mëson, brenda datës 10 mars. Në periudhën 11-24 mars, KSHMSH-ja plotëson në bazë të formularëve A1, A1z, të dorëzuar nga nxënësit e kandidatët, tabelën “T”, të cilat dorëzohen në KMSH-në e DAR-it dhe ZA-së brenda datës 25 mars. Të dhënat e maturantëve pjesëmarrës në provimet e Maturës Shtetërore do të dorëzohen zyrtarisht në formë elektronike, të ndara sipas shkollave, Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA). Më pas, MASH do të miratojë më 1 prill formularin A2 (të dhënat e nxënësve që kanë marrë provimet e detyruara, me notën mesatare dhe përzgjedhjen e degëve të shkollave të larta ku dëshiron të studiojë), plotësimi i të cilit duhet të bëhet nga maturantët deri më 30 qershor.

28 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›