Baraj: “Korrupsioni dhe paaftësia kanë dëmtuar turizmin bregdetar”
Partia Socialiste akuzon qeverinë se me paaftësinë dhe korrupsionin e saj kanë dëmtuar rëndë nivelin e turizmit në Shqipëri. Sekretari për Mjedisin në selinë rozë, Besnik Baraj, tha se turizmi bregdetar është dëmtuar për shkak të depozitimit të ujërave të zeza, ndërkohë që sipas tij, qeveria ende mban peng projektet e rëndësishme për ndërtimin e disa impianteve të trajtimit të ujërave të zeza për qytetet Shkodër, Lezhë, Sarandë, Vlorë dhe Durrës. Baraj tha se këto projekte e kanë zanafillën që në vitin 2003 dhe duhet të ishin përfunduar në vitin 2008, ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk është vënë në zbatim. “Projektet për Sarandën, Lezhën, Durrësin e kanë zanafillën që në vitin 2003, dhe ato maksimalisht duhet të përfundonin në vitin 2008, asnjëra prej tyre nuk është gati. Reklama më e mirë për Shqipërinë që mund t’i bënte qeveria Berisha dhe ministri Pango, për të ftuar turistët vendas dhe të huaj në bregdetin e Durrësit, Vlorës, Sarandës apo Shëngjinit, do ishte informimi se në bregdetin Shqiptar nuk derdhen më ujërat e zeza. Nëse realisht qeveria “Berisha” do të kishte prioritet turizmin në zonën bregdetare, do të kishte përfunduar para afatit projektet e nisura nga qeveria paraardhëse”, - tha Baraj.
28 Shkurt 2009