E Diel, 1 Nëntor 2026

Titujt e pronësisë mbahen të bllokuar nga Ministria e Bujqësisë

Zbardhen dokumentet, Gjana injoroi dhe zyrën e Berishës. Çfarë ndodh në fshatin Lugaj të Tropojës prej dy vitesh

Habjon Hasani

Tiranë - Fshati Lugaj i Tropojës është një fshat “part-time”, ku të gjithë banorët e kanë tokën veçse në përdorim për një periudhë të pacaktuar, ndërsa një prej fermerëve kryesorë të tij është bllokuar dhe injoruar nga Ministria e Bujqësisë për dy vite me radhë. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë praktikën e ndjekur nga fermeri investitor Gjovalin Nikolla, i cili ka kërkuar që sipas Ligjit 7501 “Për tokën bujqësore” të marrë titullin e pronësisë në mënyrë që të mund të përfitojë dhe nga projektet mbështetëse në formën e granteve ndërkombëtare.
Ministria e Bujqësisë deklaroi zyrtarisht tri ditë më parë se “zbatimi i Ligjit 7501 është ezauruar tërësisht”, ndërsa “Albania” disponon dokumentacionin e plotë ku fshati më i madh i Tropojës, Lugaj, është “në ajër”, ndërsa zvarritja dyvjeçare e fermerit Nikolla duket se e ka nxjerrë Ministrinë tërësisht nga funksioni i saj. Por rasti i Nikollës rezulton vetëm një prej qindra rasteve në këtë komunë, pasi thuajse të gjithë banorët e Lugajt nuk kanë tituj pronësie.

Praktika

Një prej fermerëve më të mëdhenj në këtë zonë, Gjovalin Nikolla, për të rritur eficencën e prodhimeve të tij kërkoi të merrte titullin e pronësisë së tokës që i ishte caktuar nga Ligji 7501, si kusht i domosdoshëm ky për të hyrë në marrëdhënie kredie apo përfitim granti nga projekte të ndryshme. Praktika e ndjekur prej tij tregon se gjatë vitit 2007 Nikolla ezauroi kërkesën e tij tek të gjitha rangjet në nivel qarku, duke filluar që nga komisioni për ndarjen e tokës në komunën Lugaj. Gjatë këtij procesi, Gjovalin Nikolla pretendoi se krerët e komunës po mbanin peng padrejtësisht këtë kërkesë dhe iu drejtua Ministrisë së Bujqësisë. Kjo ministri, e cila është përgjegjëse direkte për mbështetjen dhe favorizimin e prodhimit bujqësor, nuk i ktheu asnjë përgjigje. Në fund të vitit 2007 fermeri i drejtohet Zyrës Antikorrupsion pranë Kryeministrisë dhe mundet të vërë në dijeni direkt dhe kryeministrin Berisha. Në janar të vitit 2008 zyra e kryeministrit i kërkon Ministrisë së Bujqësisë të kthejë një përgjigje kompetente për problemin dhe t’i japë zgjidhje situatës së krijuar. Në mënyrë “të çuditshme” Ministria e Bujqësisë nuk denjon t’i përgjigjet as kësaj kërkese, ndërsa katër muaj më vonë, në maj 2008, zyra e kryeministrit detyrohet t’i kërkojë sërish të njëjtën gjë kësaj ministrie. Ministria sërish nuk reagoi!

Ultimatumi

Pas injorimit të dytë radhazi nga ana e Ministrisë, zyra e kryeministrit detyrohet në korrik 2008 të ripërsërisë kërkesën e saj, duke i kërkuar me ngut Ministrisë një përgjigje. Kësaj here Ministria kthen përgjigjen nëpërmjet së cilës ajo thekson se Ligji 7501 parashikon se titujt e pronësisë përcaktohen nga komisioni vendor i komunës dhe Këshilli i Qarkut”. Kjo përgjigje nuk i bindi sërish ekspertët e Kryeministrisë, të cilët i bënë me dije këtij institucioni se “ankuesi e ka ezauruar që në fillim hierarkinë vendore në nivel qarku dhe pikërisht për këtë arsye duhet të ndërhyjë Ministria e Bujqësisë që të kryejë verifikimet dhe të zbardhë vërtetësinë e pretendimeve të ankuesit për padrejtësitë që i janë bërë nga komisioni vendor i komunës”. Ndonëse zyra e kryeministrit i përcaktoi një detyrë të qartë Ministrisë së Bujqësisë, kjo e fundit ende sot e kësaj dite nuk i ka dhënë drejtim problemit, ndërsa fermeri Nikolla shprehet se zvarritja dyvjeçare i ka kushtuar miliona në aktivitetin e tij, pasi ka humbur mundësinë të aplikonte në të paktën dy projekte, në të cilat ai është ftuar nga programet e huaja të ndihmës. Pak kohë më parë Nikolla ka depozituar praktikën e plotë të kësaj odiseje dyvjeçare pranë Kryeministrisë, ku ndër të tjera kërkon të dijë se “ku duhet ta gjejë të drejtën në kushtet kur Ministria e Bujqësisë nuk do të dijë për urdhrat e zyrës së kryeministrit?!”.

Nikolla: “Gjana më tha se nuk fitoj dot dhe se ai nuk pyet as për Berishën”

Në letrën përfundimtare dërguar drejtorit të Kontrollit të Brendshëm në Kryeministri, Gjovalin Nikolla tregon se ndërsa i kishte kërkuar shpjegime ministrit Gjana për moszbatimin e urdhrave të kryeministrit, Gjana i është përgjigjur se për sa kohë të ishte ministër, nuk kishte për t’i dhënë titullin e pronësisë. “Pas urdhrit të kryeministrit kam kontaktuar kryetarin e qarkut Kukës, prefektin dhe kryetarin e komunës. Të gjitha këto autoritete i kam takuar dhe ua kam bërë të ditur porosinë e kryeministrit për të marrë përgjigjen e duhur ligjore, por ka ndodhur që ndryshe shkruhej dhe ndryshe veprohej. Dua të theksoj dhe momentin e takimit me ministrin e Bujqësisë, të cilit ia bëra të ditur porosinë e kryeministrit, ndërsa ai më ka dhënë këtë përgjigje: ‘Sa të rri unë ministër i Bujqësisë nuk ke me ba hajre në Tropojë’. Kjo ka qenë përgjigjja. Jam në gjendje të ballafaqohem. Këtë ministër e kam takuar tri herë në Tiranë dhe një herë në Tropojë. Si rezultat i pesticideve të skaduara, komplet prodhimi më është prishur, dëmi ka qenë mbi 40 milionë lekë të vjetër. Në Amerikë dhe në Europë për 10 vite çdo shtetas shqiptar mund të fitojë të drejtën e shtetësisë së atij vendi, ndërsa unë me shokët e mi jemi shqiptarë të Shqipërisë, pa të drejta elementare. Kam mbjellë një pemëtore me 3000 rrënjë mollë me shumë vështirësi ekonomike. Duke marrë lekë borxh kam arritur të bëj një pemëtore shembull në shkallë prefekture dhe më gjerë, kam kërkuar ndihmë në qeverisjen vendore dhe lokale, por ka qenë e kotë”, - shkruan ndër të tjera në letrën e tij Nikolla.

Ministria: Kemi ezauruar procesin e titujve të pronësisë

Në një nga sqarimet e pakta për çështjen e titujve të pronësisë, Ministria e Bujqësisë, në kuadër të një reagimi ndaj akuzave të bëra nga opozita, ka dhënë disa ditë më parë të dhëna mbi këtë proces, duke e konsideruar thuajse të mbyllur. Gjatë sqarimit të tij për këtë çështje, zëdhënësi i kësaj ministrie, Rexhep Shahu, ka deklaruar: “Në Shqipëri, që nga viti 1991 janë ndarë dhe janë dhënë në pronësi të 444 mijë familjeve fermerë shqiptare 560 mijë ha tokë bujqësore, tokë që e kanë përfituar këto familje dhe kanë marrë tituj pronësie për këtë sipërfaqe toke. Shumë nga specialistët e Bujqësisë së opozitës e dinë se fermerët shqiptarë janë pajisur me tituj pronësie si dhe kanë refuzuar 110 mijë ha tokë bujqësore si të pafrytshme, e cila është e pandarë. Është kryer regjistrimi fillestar i tokës bujqësore në cilësinë e pasurisë së paluajtshme për 2390 zona kadastrale ose për 81 për qind të gjithë zonave kadastrale të Shqipërisë. Pjesa e mbetur është në proces. Për ta mbyllur dhe verifikuar ligjshmërinë e këtyre titujve të pronësisë, nën qeverisjen e sotme janë hartuar akte ligjore e nënligjore dhe janë krijuar struktura të posaçme që po merren intensivisht me këtë proces. Ky regjistrim i tokës bujqësore disponohet nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme në rrethet e vendit dhe çdo posedues i ’Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi’, akt që është titull pronësie, në çdo kohë, ka pasur dhe ka të drejtën, nëse dëshiron, të paraqitet pranë zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe të marrë certifikatën e pronësisë për tokën e tij”.

28 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›