E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti i Jonit do të vazhdojë, Banka Botërore i zhvlerësoi shpifjet mediatike

Ministri i Financave Ridvan Bode flet për raportet e qeverisë shqiptare me Bankën Botërore si dhe komenton raportin e saj të fundit lidhur me projektin e bregdetit

“Projekti ka filluar në janar të vitit 2004, në qeverisjen e mëparshme dhe është miratuar në qeveri në datën 21 qershor 2005, pra rreth dy javë para zgjedhjeve, pikërisht me intensitetin për të justifikuar dëshirat dhe interesat e grupeve të caktuara të ndërtuesve botues, për të ndërtuar fshatra turistikë. Projekti vijoi pastaj duke i sjellë të gjithë parametrat e tij në parametrat dhe praktikat më të mira të Menaxhimit të zonave bregdetare të komunitetit evropian duke hequr vendosjen e njollave si pjesë të projektit dhe duke përcaktuar se si do të vendoseshin ndërtimet dhe duke ja lënë këtë të drejtë për përcaktimin e njollave të ndërtimit, jo më Projektit por autoriteteve vendore. Dhe kjo përbënte një përmirësim thelbësor. Pikërisht nisur nga prekja e interesave të tilla, grupe të caktuara u përpoqën që të implikojnë qeverinë duke formuluar edhe akuza për korrupsion apo duke akuzuar drejtorin e njësisë së projektit për influenca korruptive ç’ka nuk përputhet me asnjë fakt”

TIRANE - Projekti i Bankës Botërore për “Menaxhimin e Integruar të Zonës Bregdetare”, do të vazhdojë. Vazhdimësinë e këtij projekti e ka konfirmuar dje Ministri i Financave Ridvan Bode.
Në emër të qeverisë shqiptare Ministri Ridvan Bode ka falënderuar dje Bordin e Guvernatorëve të Bankës Botërore, për trajtimin, sipas tij, serioz dhe realist që i bëri një prej çështjeve më problematike dhe projekteve më problematike që BB - ja ka në Shqipëri.
Duke ju referuar deklaratës së dy ditëve më parë të Bankës Botërore, Bode bëri të ditur gjithashtu se, Bordi i Drejtorëve, njoftoi publikisht lidhur me këtë projekt tri çështje kryesore, sipas të cilit lidhen me vazhdimësinë e projekti, mënyrën trajtimit rast pas rasti të pretendimeve të banorëve që u janë prishur ndërtimet, si edhe zhvlerësoi kauzat mediatike të opozitës, duke i shndërruar ato në tullumbace.
“Të gjitha akuzat – tullumbace të ngritura nga opozita e përdorur prej grupeve të caktuara pëlcasin përpara tyre dhe ky nuk është rasti i parë që opozita vetë shpik dhe vetë mundohet të besojë shpifjet e veta. Është e disata herë që dështon në mënyrë publike me akuzat e saj. Sikur këtë konstatim ta bënte qeveria shqiptare nuk do të ishte e besueshme, është i dyti rast që konfirmohet nga institucione të besueshme ndërkombëtare si në rastin e të ndjerit Trebicka edhe në këtë rast, kanë qenë institucionet ndërkombëtare që jan shprehur në mënyrë të qartë dhe publike duke nxjerrë opozitën, një opozitë tërësisht destruktive, që kërkon të penalizojë me çdo kusht vendin dhe qeverinë duke sajuar vetë akuza tërësisht të pabazuara”, deklaroi midis të tjerave dje para gazetarëve Ministri i Financave Ridvan Bode.

Projekti do të vazhdojë, Jala, problemi i brendshëm i BB-së
Para gazetarëve Ministri i Financave Ridvan Bode, sqaroi dje se, çështja e parë, nga tri të tilla të konstatuara nga Banka Botërore, “që lidhet me projektin e Jalës, por që në fakt nënkupton gjithë menaxhimin e integruar të zonës bregdetare të vendit, është një çështje tërësisht e brendshme e BB-së. Gabimet e konstatuara nga Banka, kanë të bëjnë me të meta të theksuara në procesin e përgatitjes së projektit, në procesin e zbatimit të tij dhe me koordinimin e projektit nga vetë menaxhimi i BB-së”.
Për të arritur në këtë përfundim, Ministri Bode, ju referua edhe deklaratës për shtyp që nxori dy ditë më parë Bordi i Guvernatorëve të BB–së. 
“Për gabime të brendshme të Bankës nuk mund të penalizohet një projekt kaq i rëndësishëm, sa ç’është Projekti i ‘Menaxhimit të Integruar të Zonës Bregdetare’ të vendit. Projekti, i cili është tepër i rëndësishëm dhe ka marrë vlerësime maksimaliste edhe nga vetë Banka edhe nga donatorët e tjerë që i janë bashkangjitur këtij projekti, sepse është një projekt që financohet nga shumë donatorë dhe jo vetëm nga BB–ja. Në vijim të kësaj rëndësie dhe të progresit të këtij projekti, Bordi i Guvernatorëve i kërkoi menaxhimit të BB–së që projekti të vijojë, duke bërë një ristrukturim vetëm për njërin prej komponentëve nga 6 që ka gjithsej projekti. Ideja e vijimit të projektit ka qenë unanime, pasi 24 Guvernatorë nga 25 që përfaqësojnë rreth 185 vende të botës kërkuan vijimin me cdo kusht të projektit dhe mos penalizmin e Shqipërisë për gabime të brendshme të Bankës”, garantoi Ministri i Financave.

Trajtim sipas ligjit për të prekurit nga prishja e ndërtimeve
Si çështje të dytë Ministri i Financave Ridvan Bode, trajtoi dje edhe çështjen e prekur edhe nga Bordi i Guvernatorëve, që lidhej me të dëmtuarit nga prishja e ndërtimeve pa leje dhe me mundësinë për të adresuar rast pas rasti pretendimet e banorëve nëse në procesin e dëmtimit, prishjes së ndërtimeve pa leje janë zbatuar me rigorozitetet kuadri ligjor shqiptar apo jo dhe në këtë kuadër.
“Banka ka kërkuar dhe ne kemi rënë dakord që një ndihmë konsulencë ndërkombëtare mund të jetë pranë personave që do të kërkojnë trajtimin e tyre rast pas rasti. Dhe në këtë çështje është e qartë që prishja e ndërtimeve pa leje, është e lidhur me projektin, përkundrejt pretendimeve që ka qenë një protagonizëm i njëanshëm i qeverisë shqiptare apo i koordinatorit të projektit për heqjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë”, deklaroi Bode.
Më tej, Ministri Bode, bëri të ditur gatishmërinë e qeverisë për trajtimin sipas ligjeve të të prekurve nga prishja e ndërtimeve, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e ndihmesës së tyre, në rast se janë prekur padrejtësisht nga këto prishje.
“Në këtë kuadër, qeveria shqiptare mbetet e hapur për të trajtuar sipas ligjeve shqiptare të gjithë ata individë të cilët pretendojnë që ndërtimet e tyre janë prishur në dhunim me ligjin shqiptar. Sigurisht që qeveria mbetet gjithashtu e ndjeshme edhe ndaj rasteve që kanë pasur pasoja dhe kanë çuar familje në varfëri, sipas kritereve të ndihmës ekonomike për të përfshirë në këtë trajtim të gjitha familjet të cilat për shkak të ndërtimeve pa leje janë në gjendje jo të përshtatshme ekonomike dhe financiare”, deklaroi midis të tjerave Ministri i Financave Ridvan Bode.
 
Grupet e prekura të interesit tentuan implikimin e qeverisë
Ministri i Financave Ridvan Bode, u ndal dje edhe në çështjen e tretë, e evidentuar edhe nga Banka Botërore, sipas të cilit lidhej me faktin se, “Bordi i drejtorëve adresoi çështjen e spekulimeve mediatike të bëra nga opozita. Ai ‘plasi tollumbacen’ që e fryu me shumë shpejtësi opozita shqiptare, e përdorur nga segmente të mafies së ndërtimit që vendosën në këtë projekt, njolla për ndërtimin e fshatrave turistike në bregdetin shqiptar”.
Duke hedhur poshtë akuzat mediatike, Bode sqaroi historinë e projektit, i cili ka nisur dhe është miratuar para zgjedhjeve të qershorit të vitit 2005, pikërisht për të kënaqur grupe të caktuara interesi.
“Sikurse e dini, projekti ka filluar në janar të vitit 2004, në qeverisjen e mëparshme dhe është miratuar në qeveri në datën 21 qershor 2005, pra rreth dy javë para zgjedhjeve, pikërisht me intensitetin për të justifikuar dëshirat dhe interesat e grupeve të caktuara të ndërtuesve botues, për të ndërtuar fshatra turistikë. Projekti vijoi pastaj duke i sjellë të gjithë parametrat e tij në parametrat dhe praktikat më të mira të Menaxhimit të zonave bregdetare të komunitetit evropian duke hequr vendosjen e njollave si pjesë të projektit dhe duke përcaktuar se si do të vendoseshin ndërtimet dhe duke ja lënë këtë të drejtë për përcaktimin e njollave të ndërtimit, jo më Projektit por autoriteteve vendore. Dhe kjo përbënte një përmirësim thelbësor”, vijoi Ministri i Financave.
Sipas Ministrit Bode, grupet e caktuara të interesit, që nuk ishin më pjesë e përfitimeve nga projekti i qershorit të vitit 2005, u përpoqën të implikojnë qeverinë aktuale, pse ajo e solli Projektin e “Menaxhimit të Zonave Bregdetare”, në kufijtë e parametrave normal e ligjor.
“Pikërisht nisur nga prekja e interesave të tilla, grupe të caktuara u përpoqën që të implikojnë qeverinë duke formuluar edhe akuza për korrupsion apo duke akuzuar drejtorin e njësisë së projektit për influenca korruptive ç’ka nuk përputhet me asnjë fakt. Dhe në lidhje me këtë, në deklaratën e Bordit të drejtorëve, në mënyrë unanime është theksuar se, ‘Ndryshe nga sa thuhet në disa artikuj të medias, asnjë nga zyrtarët e qeverisë, anëtarë të Njësisë së Koordinimit të Projektit, ose staf i Bankës nuk është nën hetim nga INT-ja për korrupsion’”, citoi Bode deklaratën e Bankës Botërore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›