Rama premton në Gramsh ato që qeveria po i realizon që gjatë mandatit të vet të parë

Ndërsa rrogat dhe pensionet po dyfishohen, kreu i PS premton se do bëjë të njëjtën gjë nëse vjen në pushtet
TIRANE - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka premtuar gjatë takimit të tij të radhës me vullnetarët e PS-ës në Gramsh atë që po përmbush mazhoranca aktuale në mandatin e parë qeverisës, dyfishimin e pagave dhe pensioneve për banorët e zonave rurale.
Në këtë takim të radhës, ku sërish dominonin nëpunësit dhe policët e bashkisë së Tiranës, që Rama ka filluar e i merr me vete ngado që shkon, kreu i PS-ës Edi Rama është përqendruar te trajtimi i barabartë i shtetasve, jo thjesht dhe vetëm para ligjit, por mbi të gjitha para mundësive për punësim dhe mirëqenie qofshin ata në veri apo në jug, qofshin në qytet apo në fshat.
Duke vënë theksin tek rimëkëmbja e fshatit si një ndër mundësitë për të siguruar çmime të përballueshme në qytet, dhe mirëqenie në fshat, kryetari i PS, ka bërë premtimin për dyfishim të buxhetit që shkon në mbështetje të fshatit.
Ndërkohë, me gjithë premtimet e Ramës, për dyfishime buxheti, apo edhe pagash e pensionesh, shifrat e qeverisë flasin, se në katër vjet të këtij mandati, buxheti për fshatin është shtuar ndjeshëm, ndrysa janë rritur edhe pagat e pensionet, në kufijtë e dyfishimit të tyre.