E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti i Tramit - Basha merr mbështetjen e kryeministrit çek

17-04-2012 / Gazeta 55

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha zhvilloi një takim me Kryeministrin e Çekisë Petr Necas.  

Basha e ka informuar Kryeministrin Çek me projektet për ta bërë Tiranën një qytet të zhvilluar dhe miqësor për biznesin si dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës. Kryetari i Bashkisë ka folur dhe për projektet strategjike.Kryebashkiaku Basha theksoi se 7 studio ndër më të mira në botë në fushën e arkitekturës, konkuruan për projektin e zgjatimit të bulevardit dhe rehabilitimin e Lumit të Tiranës, pritet të shpallet së shpejti projekti fitues. 

Një tjetër projekt i rëndësishëm është ai i terminalit multimodal të pasagjerëve. 

“Aktualisht, theksoi Basha, 11 kompani kanë shfaqur interes për të bërë studimin e fizibilitetit të terminalit, i cili financohet nga BERZH”. 

Basha bëri të ditur se synon të ndërtojë dy linja trami në kryeqytet. Njëra do të shtrihet nga zona e Kombinatit deri në Kinostudio dhe linja tjetër e tramit do të shtrihet nga terminali i ri i pasagjerëve, për të vijuar përgjatë bulevardit të ri e deri tek sheshi “Nënë Tereza. Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha ka kërkuar nga Kryeministri Çek konsiderimin e mundësive më atraktive për financimit e linjave të tramit. 

Kryeministri Çek Petr Necas ka vlerësuar vizionin e kryebashkiakut Basha për zhvillimin e qytetit dhe projektet e propozuara prej tij të cilat janë një mundësi e mirë, sipas tij, për të thithur investitorë të huaj në përgjithësi dhe ata çekë në veçanti. 

Duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek kërkesa e Bashës për financimin e linjave të tramit, kryeministri Çek e garantoi se do të konsiderojë të gjitha mundësitë e financimit të këtij projekti që janë në interes të Bashkisë së Tiranës. 

Si kryeministri i një prej vendeve më të njohura në Europë për transportin publik me tramvaj, Petr Necas vlerësoi orientimin që Basha i ka bërë zgjidhjes së trafikut në kryeqytet dhe përmirësimit të cilësisë së shërbimit të transportit publik përmes tramit. Kryebashkiaku Basha është takuar edhe me përfaqësues të biznesit çek të cilët kanë shprehur interes për t’u bërë pjesë e realizimit të projekteve të zhvillimit të Tiranës. Përveç projekteve strategjike biznesi çek ka shprehur interes edhe për menaxhimin e mbetjeve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›