E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë

17-04-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha përshëndet punimet e forumit ekonomik Shqipëri-Çeki

“Fluksi i turistëve po rritet në një mënyrë shumë të ndjeshme në këtë vend, nga 300 mijë që ishin në vitin 2004 arriti në 4 milion turistë e vizitorë vitin e kaluar. Të gjithë ata që do të investojnë në zonat malore të këtij vendi do të jenë pa taksa për 8 vite. Ata që do të zgjedhin brigjet et do të kenë rrethanat më lehtësuese. Në rast se toka është publike do ta marrin për 1 euro”

Duke e krahasuar vendin tonë me një Zvicër me det, kryeministri Sali Berisha fton investitorët çekë në forumin e biznesit Shqipëri-Çeki, që të jenë pjesë e investimeve të rëndësishme në shumë fusha. Kryeministri bëri një panoramë të potencialeve ekonomike të Shqipërisë dhe lehtësirave fiskale të ofruara nga qeveria. 

“Ju gjeni në këtë vend një klimë miqësore ndaj biznesit. Qeveria shqiptare është njëra prej 10 qeverive më të vogla në botë. Është një nga 10 qeveritë më dorëshkurtra në drejtim të biznesit. Sot në botë ka një debat të madh midis parimeve të liberalizimit dhe të themi të kapitalizmit shtetëror. Ne nuk jemi lëkundur nga parimet e liberalizimit, ne ju besojmë atyre. Ne kemi vendosur në Shqipëri nivelin fiskal më të ulët në Evropë dhe ju garantoj se qeveria konsideron ulje të mëtejshme të nivelit të taksave. Liria fiskale është një nga liritë më kryesore në lirinë e tregut. Shqipëria është një vend i vogël në hartë, por me potenciale të jashtëzakonshme për investitorë të të gjitha vendeve. Ndofta në Shqipëri janë në zhvillim e sipër investimet më intensive në fushën e energjisë ujore, nga projekti më i madh prej 1 milard euro i EVN, Austri dhe Shtatkraft i Norvegjisë tek dhjetëra e dhjetëra projekte të tjera në të katër anët  e vendit. Vetë gjeografia e këtij vendi e bën Shqipërinë një basen të vërtet të energjisë ujore në rajon. Ne po vendosim kuadrin rregullator më të mirë për të gjithë ata që vendosin të investojnë në energjinë  e rinovueshme. Ne jemi një vend shumë afër Italisë, ndofta njëri prej tregjeve më të uritura në Evropë. Shqipëria ka disa platforma ere ndër më të fuqishmet në kontinent. Është vendi më me diell, do të bëhet me siguri një superfuqi e vogël e energjisë së rinovueshme ne rajon. Duke zbritur në aeroportin e Rinasit, ata që kanë pasur mundësi të shikojnë nga dy dritaret e avionit, kanë konstatuar nga njëri krah male me dëborë të pafundme dhe në krahun tjetër një det blu ndër më të bukurit. E para gjë që të bie ndërmend është se Shqipëria ngjan me një Zvicër me det, kur zbret në tokë e kupton që është një Zvicër për tu ndërtuar. Ndaj dhe unë ju ftoj ju të konsideroni seriozisht mundësinë për të investuar në turizëm në Shqipëri. Fluksi i turistëve po rritet në një mënyrë shumë të ndjeshme në këtë vend, nga 300 mijë që ishin në vitin 2004 arriti në 4 milion turistë e vizitorë vitin e kaluar. Të gjithë ata që do të investojnë në zonat malore të këtij vendi do të jenë pa taksa për 8 vite. Ata që do të zgjedhin brigjet et do të kenë rrethanat më lehtësuese. Në rast se toka është publike do ta marrin për 1 euro. Nga të gjitha brigjet e rajonit, koha vjen dhe bëhet e brigjeve shqiptare. Shqipëria është vendi më malor ne Evropë. Malet e saj janë plot me minerale. Shqipëria ka pellgje botërore kromi, hekur-nikeli dhe mineralesh të tjera. Vendi disponon fushën naftëmbajtëse më të madhe të kontinentit. Masive të tëra gurësh dekorativë shtrihen në malet e Jugut. Jeni të ftuar të konsideroni me seriozitetin më të madh investimet në fushën e minierave. Shqipëri ka tregun e punës ndër më të leverdishmit në Evropë, një treg pune fleksibël, me punëtorë të shkolluar mirë, të rinj dhe të vendosur të punojnë shumë dhe kjo përbën një avantazh tjetër për të gjithë ata që konsiderojnë të investojnë në Shqipëri”, u shpreh Berisha. 

Nga ana tjetër kryeministri cek vlerësoi potencialet që ofron Shqipëria dhe siguroi rritjen e investimeve çeke në vendin tonë. Duke vlerësuar si mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin mes dy vendeve, kryeministri Necas theksoi se kompanitë çeke kanë një përvojë të mirë në fusha të ndryshme dhe mund të sjellin në Shqipëri teknologjinë dhe përvojën e tyre, në fusha si turizmi, industria e përpunimit të mbetjeve, etj. “Kemi një interes që të zhvillojmë tregtinë edhe me shtetet që nuk janë anëtare të Bashkimit Europian. Mendojmë të hyjmë edhe në tregjet e jashtme. Ekonomia çeke është e varur sidomos nga eksporti, prandaj dhe zhvillimi i eksportit është një çështje kyçe”, u shpreh Necas.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›