E Diel, 1 Nëntor 2026

Pashkët, emigrantët “zbarkojnë” në kufi



GJIROKASTËR – Si çdo vit, festa e Pashkëve sjell një fluks të madh emigrantësh në pikat doganore të vendit. Në Kakavijë, vetëm në orët e para të ditës së djeshme kanë hyrë mbi 3800 shtetas dhe rreth 1200 automjete. Burime nga pika kufitare e Kakavijës bëjnë të ditur se ka fluks emigrantësh që kthehen në atdhe për festat, por nuk janë krijuar radhë, ndërkohë që po punohet me 7 sportele në hyrje dhe 5 në dalje. Pritet që me rritjen e fluksit edhe pala greke të shtojë sportelet për të shmangur pritjet e gjata. Policia e Gjirokastrës ka shtuar masat dhe kontrollet në akset kryesore si dhe në qytet për të shmangur problemet apo aksidentet për shkak të rritjes së qarkullimit të automjeteve. Më e qetë paraqitet situata në pikën kufitare të Kapshticës. Mësohet se në orët e para kanë hyrë rreth 2100 persona dhe rreth 700 automjete. Deri tani nuk janë krijuar radhë të gjata emigrantësh dhe pala shqiptare po punon me gjashtë sportele, ndërsa ajo greke me katër.

Kryen 12 grabitje, pranga 4 shqiptarëve dhe një italiani

ITALI – Shkatërrohet banda shqiptaro-italiane, e akuzuar për më shumë se 12 grabitje në zona të ndryshme të Italisë. Sipas mediave italiane, mësohet se Policia italiane ekzekutoi pesë mandat-arreste kundër katër shqiptarëve dhe një shtetasi italian të akuzuar për grabitje banesash. Burime të Policisë italiane thanë se personat e arrestuar ishin pjesë e një grupi të specializuar në vjedhjen e banesave. Më shumë se 12 grabitje janë kryer nga të arrestuarit. Mediat e shtetit fqinj njoftojnë se shqiptarët e arrestuar janë të moshave nga 21 deri në 24 vjeç, ndërsa italiani është i moshës 32-vjeçare. Anëtarët e grupit mbanin kontakte të vazhdueshme në telefon duke planifikuar vjedhjet. Zakonisht grabitjet kryheshin në orën 2 të mëngjesit, pasi arrihej të thuhej dera e shtëpisë në kohën kur banorët ishin në gjumë. Në disa raste grabitësit kanë përdorur dhunë pas reagimeve të banorëve që u janë vjedhur paratë apo makinat. Hetimet për bandën filluan pas një grabitjeje të dhunshme të ndodhur në vitin 2008.

Plagos me çifte dy bashkëmoshatarët, prangoset adoleshenti

LIBRAZHD – Plagosi me armë gjahu dy të rinj, arrestohet Lavdërim Golemi, 18 vjeç. Arrestimi i tij u bë pasi ai, pas një grindjeje të çastit, duke qëlluar me çifte personat me inicialet D. M dhe G. H, që të dy 17-vjeçarë, banorë të Rrajcës në Librazhd. Të dëmtuarit janë dërguar menjëherë në Spitalin e Librazhdit, ku aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën. Nga ana e saj, policia e këtij qyteti është duke punuar për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, në mënyrë që të zbardhen shkaqet që çuan në këtë konflikt mes tre adoleshentëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme mbi veprat penale të “vrasjes së mbetur në tentativë”.

Luftë me thika mes të rinjve, prangoset autori

ELBASAN – Plagosën me armë dy bashkëmoshatarët e tyre, arrestohen dy adoleshentët. Sipas burimeve të policisë, adoleshentët me iniciale S. Q., 16 vjeç dhe E. M., 17 vjeç, u arrestuan sot në zbatim të vendimit për shpalljen e tyre në kërkim. Të arrestuarit mësohet se pak kohë më parë kanë plagosur me thikë dy bashkëmoshatarë të tyre pas një zënke të momentit.
Menjëherë pas ngjarjes, dy adoleshentët ishin shpallur në kërkim, ndërsa policia lokalizoi vendndodhjen e tyre duke i vendosur në pranga mëngjesin e sotëm. Të arrestuarit pritet të dalin para gjykatës për vlerësimin e masës së sigurisë.

Aksidenti, dy të plagosur si pasojë e shpejtësisë

FUSHË-KRUJË – Një aksident i rëndë automobilistik ndodhi dje në mëngjes në superstradën Fushë-Krujë - Vorë. Dy makina u përplasën me njëra-tjetrën dhe për pasojë dy drejtuesit e mjeteve u plagosën rëndë. Sipas burimeve të Policisë Rrugore, një automjet me targë italiane në të cilin ndodhej një shtetas italian, u përplas me automjetin tip “Benz” 190 me targë të Fushë-Krujës.
Për pasojë, dy drejtuesit e mjeteve u plagosën dhe u dërguan në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak. Sipas hetimeve të deritanishme, shkak i aksidentit ka qenë shtetasi italian, i cili po lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara për aksin rrugor në fjalë duke hyrë në mënyrë të rrezikshme në parakalim.

2 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›