Zgjedhje në FFK, Vokrri i pavendosur

— Tashmë Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është në prag të zgjedhjeve të reja. Në fakt, Komiteti Ekzekutiv i shtëpisë së futbollit kosovar, në mbledhjen e vet të mbajtur të martën, ka vendosur që pas dy muajve të mbahet kuvendi i rregullt zgjedhor i FFK-së.
Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një njoftimi për media të lëshuar nga shtëpia e futbollit kosovar. “Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mori vendim që kuvendi i rregullt zgjedhor i FFK-së të mbahet më 2 shkurt të vitit 2012, duke zbatuar kështu Statutin e FFK-së dhe afateve kohore për një gjë të tillë”, thuhet në njoftim.
Mirëpo, tani për tani nuk dihet se kush do të kandidojë për ta marrë drejtimin e sportit më të popullarizuar në vend. Madje, as kryetari aktual i FFK-së, Fadil Vokrri, tani për tani nuk dëshiron të konfirmojë nëse do të kandidojë apo jo edhe për një mandat tjetër katërvjeçar.
Megjithatë, Vokrri dha disa shenja të cilat paralajmërojnë se ai pritet të kandidojë edhe për një mandat tjetër në krye të futbollit kosovar.
“Tani për tani nuk jap përgjigje. Nuk ka rëndësi kandidimi im apo jo, por me rëndësi do jetë se zgjedhjet do të mbahen sipas Statutit të FFK-së dhe futbolli kosovar do të jetë në ciklin olimpik”, ka deklaruar Vokrri për Express.
“Është e vërtetë se FFK-ja është në procesin e ndërkombëtarizimit, në krye të cilit proces kam qenë unë me kolegët e mi, prandaj ka kërkesa që unë të kandidohem. Por, vendimin tim për t’u kandiduar apo jo do ta bëj të ditur më vonë, pasi ta bëj një analizë”, shtoi Vokrri, pa dashur të komentojë diçka më tepër rreth kësaj çështjeje.
Ish futbollisti i famshëm kosovar, Fadil Vokrri para katër vitesh qe emëruar kryetar i FFK-së, si pasardhës i Sabri Hashanit. Ai me shumicë votash e pat mundur kundër-kandidatin e tij, Xhelal Brojën, për postin e të parit të futbollit në vend.
Me ta marrë postin e kryetarit të FFK-së, ish futbollisti i Prishtinës, i Partizanit të Beogradit dhe i Fenerbahçes kishte thënë se prioritetet kryesore të tij do të jenë ndërkombëtarizimi i futbollit kosovar dhe profesionalizmi i plotë i tij.