“Postecom”, një shërbim i ri në Postën Shqiptare
“Postecom” (shërbimet që kryhen përmes internetit) shumë shpejt do të jenë pjesë edhe në praktikën e punës së Postës Shqiptare. Burime nga Posta Shqiptare bënë të ditur se në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit që Posta Shqiptare dhe Posta Italiane kanë nënshkruar në fillim të këtij viti, ka filluar puna në praktikë për aplikimin e këtij procesi elektronik, që do të kryhet nga Posta Shqiptare. Sipas ekspertëve të fushës, certifikimi elektronik është një shërbim i sigurt, i shpejtë, i cili lehtëson shumë procedura për firmosjen e dokumenteve për qytetarë dhe biznese që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme dhe kryejnë transaksione përmes internetit. Vënia në përdorim e “Postecom”-it, shprehen ata, do t'i hapë rrugë Postës Shqiptare për të hyrë në tregun elektronik. Aktualisht, bëjnë të ditur burime nga Posta Shqiptare, po punohet me specialistët italianë për ngritjen e kapaciteteve teknike, çka përbën dhe fazën e parë të punës, që do të përfundojë pas dy muajsh. Ndërkohë, faza e dytë, e cila do të përmbyllet me vënien në zbatim të “Postecom”-it, do të zgjasë edhe 6 muaj të tjerë.