E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligj për pajisje me shtetësi shqiptare

Qeveria e Republikës së Shqipërisë, do të bëjë gati projektligjin "për pajisjen me shtetësinë shqiptare pa kushte", të të gjithë shqiptarëve kudo ata jetojnë.

Siç tha kryeministri shqiptar, Sali Berisha, "ky ligj do të parashikojë një standard ndryshe për Kosovën për shkak të konsolidimit të këtij shteti, por edhe për faktin se pas këtij ligji nuk fshihet asnjë interes për ndryshim kufijsh".

Hollësitë e projektligjit nuk janë bërë publike ende dhe puna rreth tij pritet të nis së shpejti, njofton korrespondentja jonë në Tiranë.

Kryeministri tha se ligji nuk ka asnjë interes elektoral, ndaj dhe njoftoi se ai do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve të pergjithshme të vitit 2013.

Berisha kërkoi mirëkuptimin e opozitës për miratimin në parlament të këtij ligji.

Kjo vendimarrje, siç tha kryeministri, "ndodh në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë dhe i shërben çlirimit të rajonit nga albanofobia që s’mund të ndodhë ndryshe, veçse prej bashkimit te shqiptareve".

Këtë deklaratë kryeministri e bëri nga Vlora, në Shtëpinë Muze, ku drejtoi mbledhjen e qeverisë në një datë që përkon me mbledhjen e parë të qeverisë së Ismail Qemalit, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

"Qeveria e parë u zgjodh nga Kuvendi me propozim të Ismail Qemalit. Këtu u mblodh ajo që do të quhej pleqësia e do ishte e barabartë me një këshill shteti apo senat, si do shpreheshin aty përfaqësues të kuvendit. Qeveria e parë në historinë e shqiptarëve, pas vdekjes së Skënderbeut dhe rënies së Krujës me propozim të kryetarit të saj do zgjidhej nga Kuvendi ndonëse në mbledhjen e parë Kuvendi kishte autorizuar kryeministrin Ismail Qemali të zgjidhte qeverinë, por më 4 dhjetor në prani të 63 anëtarëve të kuvendit”, tha Berisha, duke iu drejtuar ministrave.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›