E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji “Për Prokurorinë”, sot debati ne Komisionin e Ligjeve

Komisioni i Ligjeve debaton sot në parim për projektin e qeverisë. Opozita: Nuk do ta votojmë nëse nuk konsiderohen propozimet tona”

Eljona Ballhysa
Komisioni Parlamentar i Ligjeve do të diskutojë sot për projektligjin e ri “Për Prokurorinë”. Drafti i depozituar në Kuvend vetëm pak ditë më parë nga qeveria pritet të nxisë debate të ashpra midis deputetëve të maxhorancës dhe opozitës në Komisionin e Ligjeve. Përfaqësues të opozitës, por dhe të grupeve të interesit, janë shprehur kundër këtij drafti, pasi, sipas tyre, ky projektligj cenon pavarësinë e prokurorisë ndaj qeverisë. Opozita është shprehur prej kohësh se do të votojë kundër këtij ligji në rast se nuk merren në konsideratë propozimet e tyre. Mirëpo ky ligj nuk mund të miratohet vetëm me votat e maxhorancës pasi kërkon shumicë të cilësuar prej 84 votash.
Kundërshtimet
Më të debatuar janë tre nene të projektligjit “Për Prokurorinë”. Sipas Nenit 17, në projektligjin e ri në rastin e shkarkimit nga detyra prokurori mund të bëjë ankimin në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ndërsa prokurori i Gjykatës së Apelit duhet të ankimohet në gjykatën më të afërt. Kur gjykata çmon se shkarkimi nga detyra është i pabazuar në ligj, ajo vendos t’i japë prokurorit shpërblim dhe nuk merr vendimin për ta rikthyer në postin e mëparshëm të punës. Po kështu, shoqatat e prokurorëve kundërshtojnë Nenin 28, në të cilin ministri i Drejtësisë thotë se ministri i drejtësisë duhet të raportojë një herë në vit në Kuvend për inspektimet e kryera në prokurori dhe për këtë vë në dijeni dhe prokurorin e Përgjithshëm. Nga ana tjetër, prokurori i Përgjithshëm ka të drejtë të paraqesë në Kuvend mendimin e tij për raportin e dërguar nga ministri i Drejtësisë. Në bazë të rezultateve të kontrollit, ministri i Drejtësisë kur është rasti paraqet rekomandim për marrje mase disiplinore ndaj prokurorit të Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm shqyrton rekomandimin dhe vendos në lidhje me të. Rekomandimi dhe procedimi disiplinor dhe përgjigja e prokurorit të Përgjithshëm i njoftohen Presidentit të Republikës. Kjo dispozitë është kundërshtuar nga prokurorët dhe nga opozita, pasi, sipas tyre, është një përpjekje e hapur për ta vendosur Prokurorinë e Përgjithshme nën presionin dhe varësinë e Ministrisë së Drejtësisë. Prokurorët mendojnë se kjo dispozitë lë të hapur mundësinë e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar, i cili, pasi shqyrton procedimin disiplinor të ministrit të Drejtësisë, voton pro shkarkimit të prokurorit të Përgjithshëm. Në Nenin 29 të ligjit shkruhet konkretisht: “Ministria e Drejtësisë ushtron kontroll në organin e Prokurorisë në këto drejtime: zbatimi i prioriteteve të rekomanduara vjetore të dhëna nga Këshilli i Ministrave për luftën kundër kriminalitetit; respektimi i detyrimeve ligjore për ekzekutimin e vendimeve penale nga prokurori; garantimi i të drejtave të të proceduarve, shtetas shqiptarë ose të huaj, në marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja; rregullshmëria e mbajtjes dhe administrimit të statistikave dhe regjistrimit të veprave penale. Pra, përmes këtyre pikave tentohet të shmanget e drejta e Ekzekutivit për të ndërhyrë në procesin hetimor, çështje kjo e ngritur disa javë më parë në media nga grupet e interesit.
Zgjedhja e prokurorit
Ky projektligj zgjidh një herë e mirë problemin aq të debatuar në kohën e Theodhori Sollakut për çështjen e afatit të mandatit të kreut të Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas propozimit të bërë nga hartuesit e projektligjit, mandati i prokurorit të Përgjithshëm është 5-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje. Po ashtu përcaktohen edhe kritere të tjera si: kreu i organit të akuzës duhet të ketë jo më pak se 10 vjet eksperiencë në sistemin e Drejtësisë dhe të shquhet për aftësi profesionale dhe figurë të pastër etiko-morale. Paketa ligjore e propozuar parashikon edhe pozicionin e kryeprokurorit pas përfundimit të mandatit të tij. Në të thuhet: “Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme ose në vendin e mëparshëm, ose në një vend të barasvlershëm me vendin e mëparshëm”. Një nga kleçkat e këtij drafti, që ka ngjallur debate deri në hartimin e plotë të paketës ligjore, ka të bëjë me rastin kur prokurori i Përgjithshëm ka konflikt interesi në hetimin e një çështjeje.

Kërkesat e prokurorëve për Këshillin e Prokurorisë

Një tjetër pikë e nxehtë ka qenë edhe funksionimi i Këshillit të Prokurorisë, i cili edhe në draftin e ri nuk ka ndryshime esenciale përsa i përket numrit të anëtarëve. Ndonëse kjo pikë ngjalli debate mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Shoqatës së Prokurorëve, sërish numri i anëtarëve mbetet 7. Në paketën e propozuar saktësohet përbërja e tij, ku një anëtar është përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë. Në mbledhjen e Këshillit të Prokurorisë mund të marrë pjesë edhe një përfaqësues i Presidentit. Po ashtu saktësohet misioni i tij; “Këshilli i Prokurorisë kryen funksione këshillimore në ndihmë të prokurorit të Përgjithshëm”. Mënyra e funksionimit të Këshillit të Prokurorisë nuk lihet në dorën e kryeprokurorit, por përcaktohet ligjërisht në një paketë prej 7 pikash. Kështu që prokurori i Përgjithshëm zhvishet nga disa kompetenca, të cilat i ka aktualisht me ligj. Ndonëse parashikohen edhe raste të përplasjes mes tyre, në draftin e propozuar thuhet: “Në rastet kur prokurori i Përgjithshëm nuk është dakord me mendimet e sugjeruara nga Këshilli, vendimmarrjen e tij ndryshe e parashtron të arsyetuar”, por sërish nuk parashikohet një “zgjidhje” kur palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta.

Procedura e emërimit dhe e ndalimit të prokurorëve në rrethe

Në draftin e përgatitur saktësohen dhe përcaktohen emërimet e prokurorëve të thjeshtë, por kësaj radhe sipas skemave të organizimit të ri të sistemit gjyqësor. Pra këtu përcaktohen modalitetet për prokuror të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe pranë Gjykatës për Krime të Rënda. Ky projektligj merr në shqyrtim edhe rastet e ndalimit dhe të hetimit të prokurorëve. Në Nenin 36 janë bërë këto modifikime:
“1. Prokurori nuk mund të ndalohet ose të arrestohet pa pëlqimin e prokurorit të Përgjithshëm, veç rasteve të kapjes së tij në flagrancë. 2. Në rastin e arrestit në flagrancë, organi procedues njofton menjëherë prokurorin e Përgjithshëm. Nëse prokurori i Përgjithshëm brenda 24 orëve nga çasti i arrestimit nuk jep pëlqimin, arresti në flagrancë e humbet fuqinë”. Një ndër pikat që merr përsipër të përmirësojë paketa e re ligjore, e cila ishte në listën e kërkesave të Shoqatës së Prokurorëve, është ajo e fitimit të së drejtës për rikthimin në detyrë të prokurorëve të shkarkuar.

ZGJEDHJA E PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM (sipas projektligjit)

Në nenin 7, pas pikës 1, shtohen tre paragrafë me këtë përmbajtje:

“1/1. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve me përvojë pune jo më pak se 10 vjet në sistemin e Drejtësisë dhe shquhet për aftësi profesionale dhe figurë të pastër etiko-morale.
1/2. Prokurori i Përgjithshëm qëndron në detyrë për 5 vjet, me të drejtë riemërimi.
1/3. Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme ose në vendin e mëparshëm, ose në një vend të barasvlershëm me vendin e mëparshëm. Ai nuk përfiton nga kjo e drejtë në rastet kur shkarkohet për shkelje të Kushtetutës, për shkelje të rëndë të ligjit ose akte dhe sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e prokurorit të Përgjithshëm”.

DETYRAT E PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM (sipas projektligjit)
Neni 4
Në Nenin 8, pika 2 ndryshohet si vijon:

“2. Prokurori i Përgjithshëm ka këto detyra kryesore:
a) Të përfaqësojë Prokurorinë në Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese.
b) I propozon Presidentit të Republikës numrin e përgjithshëm të prokurorëve, pasi të ketë marrë mendimin e ministrit të Drejtësisë, si dhe përcakton numrin e prokurorëve për çdo prokurori, përfshirë edhe Prokurorinë e Përgjithshme.
c) I propozon Presidentit të Republikës emërimin, transferimin, ngritjen në detyrë, largimin nga detyra dhe shkarkimin e prokurorëve.
ç) Cakton drejtuesit e prokurorive dhe zëvendësit e tyre në prokuroritë pranë gjykatave, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në këtë ligj.
d) Miraton strukturën, organikën dhe rregulloret e funksionimit të prokurorive pranë gjykatave dhe të Prokurorisë së Përgjithshme.
dh) Urdhëron komandimin e prokurorëve, sipas kritereve të përcaktuara në këtë ligj.
e) Emëron dhe shkarkon sekretarin e Përgjithshëm në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kancelarët e prokurorive.
ë) Përfaqëson prokurorinë në marrëdhëniet me të tretët në nivel qendror.
f) Merr masat e duhura për ushtrimin e kompetencave ligjore dhe kushtetuese të Prokurorisë dhe përgjigjet për mosmarrjen e masave të duhura.
g) Drejton, koordinon dhe mbikëqyr aktivitetin e Prokurorisë dhe të Policisë Gjyqësore.
gj) Nxjerr akte normative (rregullore, urdhra dhe udhëzime), për ushtrimin e detyrave të përcaktuara nga ky ligj ose nga ligje të veçanta, të cilat janë të detyrueshme për prokurorët dhe Policinë Gjyqësore.
h) Inspekton ose urdhëron inspektimin e punës së Prokurorisë, si dhe urdhëron kontroll ose hetim dhe procedim penal apo disiplinor për shkelje të ligjit nga prokurorët.
i) Kryen veprimet për fillimin e procedimit disiplinor ose penal të policisë gjyqësore sipas ligjit të veçantë.
j) Mbikëqyr drejtpërdrejt shërbimin e inspektimit të Prokurorisë dhe miraton planin vjetor të inspektimeve të përgjithshme në Prokurori.
k) Thërret mbledhjen e Këshillit të Prokurorisë dhe mund të drejtojë mbledhjet e tij.
l) U delegon me shkrim kompetenca drejtorëve, përgjegjësve të sektorëve ose prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas parashikimeve në këtë ligj ose në ligje të veçanta, me përjashtim të atyre që parashikojnë shkronjat “b”, “c”, “ç”, “d”, “e”, “h”, “i” të këtij neni;
ll) I dërgon Ministrisë së Drejtësisë të dhënat statistikore të ndjekjes penale për hartimin e statistikës së njësuar në fushën e drejtësisë;
m) Kryen detyra të tjera të parashikuara në ligj.

- Në po këtë nen, pikat 3 dhe 4 shfuqizohen.

KUSHTETUTA PËR PROKURORINË

Neni 148
1. Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligj.
2. Prokurorët janë të organizuar dhe funksionojnë pranë sistemit gjyqësor si një organ i centralizuar.
3. Në ushtrimin e kompetencave të tyre prokurorët u nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve.

Neni 149
(Ndryshuar pika 2 dhe pika 4 me Ligjin Nr. 9904, datë 21.4.2008, neni 9)
1. Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një mandat pesëvjeçar, me të drejtë riemërimi.
2. Prokurori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kuvendit, për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e prokurorit.
3. Prokurorët e tjerë emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të prokurorit të Përgjithshëm.
4. Prokurori i Përgjithshëm raporton në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit.

26 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›