Adriano, e dashura e çon te Çelsi
E ardhmja e Adrianos është në Brazil dhe Interi ka filluar të mendojë edhe alternativat zëvendësuese: Drogba, Akuafreska dhe Ibiseviç. Nuk mjaftuan fjalët e presidentit të Flamengos, Marcio Braga, për të dekurajuar tifozët e klubit të njohur brazilian, por ka folur edhe ish-e fejuara e tij, Zhoana Mashado: “Besoj se do të shkojë te Çelsi, por që nga nuk mund të luajë në Ligën e Kampioneve, kështu që është më e lehtë të shkojë te Flamengo”. Në fakt, alternativat duken të besueshme, pasi prej kohësh është folur për një këmbim Adriano-Drogba, plus kartonit të Manikes. Gjithsesi, edhe pista “Flamengo” duket e mundshme.
E DASHURA – Zhoana foli edhe për marrëdhëniet e tyre që zgjatën vetëm një vit e gjysmë, si dhe për tatuazhin me emrin “Adriano” të bërë në ijën e djathtë. “Përse e bëra? Sepse është njeriu i jetës sime, është gjithçka për mua. Është e vërtetë që jemi ndarë dy-tri herë, por tani jemi riparë javën e kaluar në Rio dhe gjithçka është në rregull. Përse grindeshim? Kur isha në Milano ndodhi gjithçka për fajin tim, pasi në Brazil kam dy fëmijë”.
FLAMENGO - Më pak besues është presidenti i Flamengos: “Është vërtet e vështirë që të vijë te ne”, - tha Braga, - “pasi Gilmar Rinaldi (menaxheri i Adrianos) ka folur në telefon me zëvendësin tim Kleber Leite, të cilit i ka thënë që do të shkojë në Itali vetëm në janarin e ardhshëm”. Ndërkohë, koha kalon. Tratativa duket e komplikuar dhe rrezikon të mbetet një ëndërr, edhe pse na duhet të shpenzojmë gati një milion euro në muaj e duhet ta reduktojmë këtë shifër”.
Murinjo: “Një ditë do të kthehem në Premier Ligë”
Është një njeri që nuk i fsheh kurrë gjërat. Hoze Murinjo ëndërron një rikthim në Premier Ligë. Madje, e konfirmoi për mikrofonat e “Sky Sports”: “Nuk jam fshehur kurrë, e dua futbollin anglez. Një ditë do të rikthehem, jam i sigurt. Objektivi im është të fitoj Premier Ligën (angleze), Serinë A (italiane) dhe Ligën (spanjolle), tre kampionatet më të rëndësishëm në Europë. Tani jam trajneri i Interit, skuadër që kam kërkuar ta bëj gjithmonë e më të mirë. Jam i kënaqur për këtë”. Në lidhje me drejtimin e një ekipi kombëtar në të ardhmen, portugezi tha: “Për këtë duhet të pres të paktën edhe 15 vjet. Kam shumë energji në trup, dëshiroj të punoj çdo ditë me djemtë në fushë”.
Milani, objektivi i ri: Fabio Kanavaro
Reali nuk dëshiron t’i rinovojë kontratën, në qershor është i lirë, por Galiani e kërkon që në janar
Shevçenko, Kaka e Ronaldinjo, tre “Topa të artë”, krenaria e Milanit të fundit berluskonian, që ndoshta mund të bëhen edhe katër. Dhe surpriza mund të bëhet realitet brenda disa javëve. Quhet Fabio Kanavaro ideja e fundit e klubit kuqezi, që nuk dëshiron t’ia lërë kampionatin Interit. E kishte thënë kohë më parë Adriano Galiani: “Ne synojmë titullin, e kemi detyrë ta bëjmë”. Lajmet nuk janë dhe shumë të mira në kampin e Milanit. Rino Gatuzo është i dëmtuar, Alesandro Nesta ende i parikuperuar, ndërkohë që Bekam do të jetë në dispozicion të kuqezinjve për dy muaj e gjysmë dhe nuk mund të mjaftojë kurrsesi të rendë pas Ibras e Murinjos. Ja përse Milani është duke menduar për diçka të fortë, që mund të shërbejë shumë edhe për sezonin e ardhshëm. Fabio Kanavaro është identikiti i kampionit që i shërben Ançelotit, të paktën në këtë rast nuk luan rol mosha. Është e vërtetë që kapiteni i Kombëtares italiane është 35 vjeç, por nga pikëpamja fizike është i fortë dhe nga pikëpamja mendore është akoma numri një i formacionit të Lipit. Një javë më parë, në ndeshjen kundër Barcelonës, që dominon kampionatin spanjoll, ishte një ndër më të mirët e Realit. Milani ka probleme në mbrojtje: mosha e Paolo Maldinit, mungesa e gjatë e Alesandro Nestës, dëmtimi i Bonerës, problemet fizike të Kaladzes. Për sezonin e ardhshëm, Galiani e Ançeloti kanë blerë Tiago Silvën. Për janarin, janë duke menduar pikërisht Kanavaron.
25 Dhjetor 2008